Duka përshëndet nisjen e kampionatit: Udhë të mbarë edicionit të ri futbollistik
Mbrëmjen e sotme janë luajtur tre sfida të tjera nga Kategoria Superiore që hapi siparin e kampionatit të ri të futbollit. Me këtë rast presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në llogarinë e tij në Facebook ka përshëndetur edicionin e ri futbollistik.

Sipas Dukës kjo është një ngjarje e rëndësishme për komunitetin e futbollit shqiptar, pasi ky edicion shënon dhe 78 vjetorin e këtij kampionati, dhe të gjithë janë angazhuar për ta përgatitur sa më mire, këtë fillim të ri.

Po ashtu Duka u ka uruar suksese të gjithë stafit dhe futbollistëve.

Lexoni më poshtë postim e plotë të presidentit të FSHF-së:

nderuar futbollistë, trajnerë, drejtues klubesh dhe stafe organizatore!

nderuar gjyqtarë, delegatë dhe vëzhgues!

nderuar tifozë!

nderuar përfaqësues të medias!

Sot nis edicioni i ri futbollistik, me ndeshjet e Kategorisë Superiore. Është edicioni i 78 i këtij kampionati. Që nga starti i tij i parë në vitin 1930, kampionati i futbollit është bërë gjithnjë e më i dashur dhe i ndjekur në të gjithë qytetet e Shqipërisë. Starti i këtij kampionati, i cili vitet e fundit jo vetëm ka qenë më i bukur por edhe më cilësor, është një ngjarje e rëndësishme për komunitetin e futbollit shqiptar. Prej javësh, futbollistët, stafet teknike, trajnerët, menaxherët dhe drejtuesit e klubeve, po punojnë për të përgatitur sa më mire, këtë fillim të ri. Të gjitha përpjekjet e tyre gjatë kësaj periudhe, kanë patur vetëm një qëllim: Paraqitjen sa më të mirë të skuadrave. Me dëshirën për të ngjitur sa më lart, dhe për të realizuar synimet e tyre. Sot nis një rrugë e gjatë dhe e lodhshme, për arritjen e objektivave që klubet i kanë vënë vetes. Por në fakt, është edhe një rrugë e bukur, mbushur me emocione, me ngjarje të paharrueshme të cilat më pas do të regjistrohen në librin e historisë. Dhe çdo klub nis të shkruajë faqen e 78 të historisë së tij prej sot e deri në muajin maj, kur secili do të marrë atë rezultat, që ka merituar në fushën e lojës.

Të dashur miq. Fillimi i edicionit të ri futbollistik, përkon edhe me një ngjarjerëndësishme për futbollin shqiptar. Jo më larg se dje, skuadra jonë kombëtare arriti një fitore shumë të rëndësishme, kundër Maqedonisë, në stadiumin e ri “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës. Kjo fitore, në startin e eliminatoreve të Botërorit “Rusi 2018”, ka krijuar shumë entuziasëm në gjirin e tifozëve dhe ka rritur më tepër besimin në skuadër. E gjithë kjo atmosferë pozitive, shpresoj që të transmetohet edhe në fillimin e edicionit të ri futbollistik.

Unë do të uroja që ky kampionat të jetë sa më i bukur dhe me rivalitet. Shpresoj shumë ,që ai të dhurojë spektakël dhe emocione, të cilat do ta ndezin garën dhe do të kënaqin tifozët në shkallët e stadiumeve. Fryma e Fair Play, duhet të mbizotërojë në të gjitha ndeshjet. Mbi të gjitha, do të uroja që ky kampionat të jetë sa më cilësor nga pikëpamja teknike. Rritja e nivelit të lojës, afirmimi i elementëve të talentuar, janë një garanci që futbolli po ecën në rrugën e duhur.

Udhë të mbarë edicionit të ri futbollistik. Suksese të gjithëve në realizimin e objektivave, që i keni vënë vetes./Albeu.com/
Shtuar më 07/09/2016, ora 21:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori