Dunga: Neymar duhet të punojë më shumë
Pëlqej
Carlos Dunga ledhaton sulmuesin Neymar. Trajneri i ri i brazilit që u rikthye në stolin e Seleçaos pas aventurës së dështuar në botërorin e shtëpisë, flet në një intervistë për prestigjozen “Times”, duke thurur elozhe për talentin e Barcelonës. Dunga e pranon se për momentin është Neymar lojtari më i mirë brazilian, por sipas tij, ai ka mundësi të rritet edhe më shumë në aspektin profesional.

Tekniku brazilian nënvizon gjithashtu se për të arritur majën, Neymar duhet të punojë shumë sepse Kupa e Botës është një trofe që nuk duhet t’i mungojë një lojtari që dëshiron të shkruajë emrin në historinë e futbollit.

Sipas ish mesfushorit të Seleçaos, shembullin më të mirë për këtë e ka dhënë Pele, i cili zgjidhte vetë pjesën më të madhe të ndeshjeve duke bërë diferencën në fushën e lojës, gjë të cilën Neymar nuk është ende në gjendje ta bëjë.

50-vjeçari e vazhdon intervistën duke u shprehur se futbolli është bërë më i vështirë sepse për sulmuesit nuk ka më hapësira aq të mëdha, por gjithsesi, lojtarët e klasit botëror arrijnë të tregojnë se sa vlejnë duke zgjidhur 5 ose 6 ndeshje në 10 të luajtura.

Në fund, Dunga zbulon se gjatë ndeshjeve të ardhshme, Brazili i tij do të përbëhet nga një miks lojtarësh të rinj por edhe të gardës së vjetër. /albeu.com/
Shtuar më 17/08/2014, ora 16:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori