Duro premton spektakël me Skënderbeum, por nuk e vendos kampionatin
Pëlqej
Me Skënderbeun kryesues që ka 8 pikë avantazh nga Flamurtari, përballja e kësaj të premte pritet të vendosë nëse korçarët do të vendosin një dorë të titulli, apo nëse gara do të rihapet. Trajneri Shpëtim Duro largon presionin që mund të krijojë kjo situatë, ndërsa premton spektakël për vetë momentin e mirë që po kalojnë ekipet.

Nuk është ndeshje deçizive për kampionatin, pasi nuk kemi presion për titullin duke qenë se jemi një ekip që është formuar nga fillimi në këtë sezon dhe çdo gjë bëhet në mënyrë graduale ashtu siç e ka bërë Skënderbeu gjatë këtyre viteve. Megjithatë, duke patur parasysh momentin e mirë që po kalojmë, ku kemi kaluar tre teste të rëndësishme, dy ndaj Partizanit dhe një me Kukësin ku skuadra është paraqitur shumë mirë. Duke patur parasysh që kemi përballë skuadrën më të mirë të kampionatit shqiptar, them që do të jetë një duel interesant.

Objektivi në Korçë është fitorja, megjithatë Duro e pranon që prej diferencës në renditje, Skënderbeu është më i qetë dhe kjo e avantazhon skuadrën e Dajës.

"Po shkojmë në Korçë për të marrë maksimumin, sepse në një ndeshje futbolli janë të pranueshëm të tre rezultatet. Sigurisht që fitorja jonë do ta bënte kampionatin më interesant, ashtu si do ta bënte nëse do të fitonim në Kukës me distancën që do të ishte më e afërt, por fitorja na iku nga duart për pak. Do të ishte një situatë tjetër. Skënderbeu është më i qetë duke qenë se ka një diferencë pikësh, e cila ta krijon qetësinë e vazhdimësisë." tha Duro.

Në duelin me Skënderbeun, te Flamurtari rikthehet Bicaj, ndërsa pritet të debutojë edhe goditja e madhe e merkatos së dimrit, Muarem Muarem. Në anën tjetër, problem përbëjnë mungesat e Sidibes dhe Zhufos.

"Nuk u referohem shumë statistikave, megjithatë më vjen mirë që në Kukës barazuam pavarësisht keqardhjes që nuk fituam. Por, ishte pika e parë në Kukës dhe kjo është e rëndësishme. Kam një skuadër e cila mund ti përballojë të gjithë kundërshtarët pa asnjë lloj problemi. Mungesat tona janë Sidibe, që për mua është një pikë shumë e rëndësishme, por edhe Zhufo që ka një dëmtim muskulor që ndoshta do të jetë disa kohë jashtë skuadrës. Bicaj rikthehet dhe është i gatshëm, ashtu si edhe Muarem."përfundoi tekniku i Flamurtarit. /albeu.com/
Shtuar më 08/02/2018, ora 15:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori