E ardhmja e Contes në dyshim: Pas Krishtlindjeve takohem me drejtuesit e klubit
Interi do ta mbyllë vitin me transfertën ndaj Veronës nesër në mbrëmje në "Bentegodi", ndërsa Conte ka dalë sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku ka folur me superlativa për kundërshtarin dhe ka bërë thirrje për një sforco të fundit nga futbollistët e tij.

"Verona është një kundërshtar shumë i fortë dhe duhet të komplimentoj trajnerin Juriç, që për të dytin sezon radhazi po bën një punë të jashtëzakonshme.Ata u kanë hapur punë të gjithë kundërshtarëve të fortë këtë sezon, ndaj e dimë që na pret një 90-minutësh shumë i vështirë, ku mund të fitohet vetëm duke dhënë maksimumin", u shpreh trajneri zikaltër.

Menjëherë pas sfidës në "Bentegodi" Seria A do të ndalet për 10 ditë dhe do të rikthehet në janar, ndërsa Conte zbulon se do të diskutojë me drejtuesit për të parë se çfarë mund të përmirësojnë në organikën e skuadrës, duke qenë se jemi në prag të rihapjes së merkatos.

"Menjëherë pas Veronës do të kemi një takim me drejtuesit e klubit, për të parë edhe opinionin e tyre për punën e bërë gjatë këtyre 4 muajve. Është shumë e rëndësishme të takohemi dhe të diskutojmë për zgjidhjet që kemi dhe gjërat që duhet të përballojmë", tha Conte.

Krahasuar me një vit më parë, Interi ka bërë më pak "turn-over" dhe një pjesë e mirë e titullarëve janë "shtrydhur" në maksimum duke luajtur çdo tre ditë, ndërsa Conte e lidh këtë pikërisht me dëmtimet e shpeshta, ku nuk ngurron të flasë edhe për Sanchez.

"Kemi bërë më pak ndryshime në formacion, por kjo kryesisht për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19 dhe dëmtimet e shpeshta të lojtarëve. Nëse flasim për Sanchez, është fakt që po dëmtohet shumë shpesh dhe kjo sigurisht që peshon edhe në zgjedhjet tona", u shpreh trajneri i Interit. /SS/
Shtuar më 22/12/2020, ora 15:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori