E BUJSHME/ Juventusi synon mbrojtësin e Kombëtares (FOTO LAJM)

Lajm i bujshëm nga Italia: Juventusi është duke vëzhguar nga afër mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla. Nisja e mirë që i ka bërë kampionatit italian ka tërhequr vëmendjen e shumë skuadrave në Serinë A, mes tyre edhe “Zonja e Vjetër”.

Dëmtimi për një kohë të gjatë i Xhorxho Kielinit i ka detyruar bardhezinjtë që të shfaqin interes konkret për shqiptarin. Talenti kuqezi ka qenë një nga zbulimet e këtij sezoni dhe është përfshirë në formacionin më të mirë të këtyre javëve të para në Serinë A.

Dhe kur ka talente të tilla, Juventusi është gjithmonë aty për të përfituar. Për më tepër që Marash Kumbulla ka thënë se Xhorxho Kielini është shembulli i tij. Do të gjendej në një skuadër të madhe, me shpresën për t’u rritur akoma më shumë. Kumbulla bëri debutimin me Kombëtaren shqiptare në minutat e fundit kundër Moldavisë dhe kjo lëvizje e Edi Rejës ishte për ta bërë përjetësisht kuqezi talentin 19- vjeçar.

E “SPIUNUAN” – Mediat italiane shkruajnë se Juventusi ka vëzhguar me vëmendje dhe nga afër Kumbullën në ndeshjen me Napolin, pasi e konsideruan një sfidë të rëndësishme për të parë rritjen e tij graduale. Për Kumbullën kanë shfaqur interes edhe skuadrat e Fiorentinës dhe Napolit. Këta të fundit janë shtangur nga kërkesat e Veronës, e cila mund ta lërë të lirë lojtarin vetëm për 10 milionë euro. Pas këtyre muajve të parë në Serinë A, vlera e kartonit të shqiptarit ka pësuar një rritje të jashtëzakonshme. Aktualisht kartoni i tij është 3 milionë euro, duke qenë lojtari i pestë më i shtrenjtë i kuqezinjve.
Shtuar më 20/10/2019, ora 10:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori