E bujshme / Lazio po mendon rikthimin e Lorik Canës
Ka deklaruar se i ka dhënë fund futbollit të luajtur, por për Lorik Canën shumë shpejt mund të hapet një hipotezë e bujshme e kthimit në fushë. Kriza e dëmtimeve në mbrojtje ka mbërthyer klubin e Lacios dhe sipas mediave italiane, emri i Canës është në listën e përforcimeve të mundshëm në këtë pikë të sezonit, mes lojtarëve që janë pa ekip.

Dëmtimet e njëpasnjëshme të Uollas, Basta, Bastos dhe De Vrij detyrojnë Lacion të bëjë ndërhyrje sa më të shpejta, pasi ekipi luan çdo tre-katër ditë për shkak të impenjimeve në Europë. “Mund të ndërhyjmë në merkaton e atyre që janë pa skuadër, raporton Panorama. Nuk është e thjeshtë të gjejmë futbollistë që mund të na ndihmojnë, por është një zgjidhje”, tha trajneri Simone Inzagi pas ndeshjes së mbrëmshme, të humbur me shifrat 4-1 përballë Napolit.

Sipas “Il Messaggero”, Igli Tare ka që tani para syve një listë me futbollistë që mund t’i bëjnë punë në këtë pjesë të parë të sezonit, derisa të fillojë merkatoja e janarit. Zakardo, Sanja, Leskot dhe Basong janë disa nga emrat që qarkullojnë në klub, ashtu si edhe ai i Lorik Canës.

Ky i fundit ka më shumë se një vit që nuk shkel në fushat e lojës dhe në Itali e shohin pak të mundshëm një kthim të tijin në futbollin aktiv. Megjithatë, emri i Canës vazhdon të diskutohet si alternativë në klubin ku ai ka luajtur nga viti 2011, deri në vitin 2015.
Shtuar më 21/09/2017, ora 17:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori