“E turpshme, lojtarët rumunë shtriheshin në tokë në vend që të luanin futboll"
Mbrëmjen e djeshme, Shqipëria ngriti flamurin në Francë me një fitore të madhe kundër Rumanisë, duke lënë të hapur portën për të vijuar rrugëtimin në festivalin e futbollit evropian. Por kjo humbje ka prekur edhe mediat rumune, të cilët kanë kryqëzuar lojtarët.

E përditshmja “Adevarul” ironizon trajnerin dhe taktikat e tij. “Lamtumirë Jordanesku”, shkruan kjo gazetë. “Rumania bëhet pjesë e historisë së Shqipërisë”, vijon ajo më tej.

“Falë Shqipërisë, Rumania vjen në shtëpi dhe do të ketë trajner të ri”, shkruan më tej artikulli.

Me mjaft nota rebelimi ka shkruajtur gazeta sportive “Sporturirol”.

“Shqipëria sjell anarki”, kështu është titulli i kësaj gazete. “Shqipëria largon Jordaneskun, venitet legjenda e tij”, vijon ajo më tej.

Ndërsa tabloidi “Click” ka qenë pak më i butë, por ironik me kombëtaren rumune.

Jordanesku zyrtarizon pushimet”, shkruan ky tabloid. “Shqipëria ndali rumunët në Lion dhe tashmë do kemi një trajner të ri”, vijon ajo më tej.

Gazeta liberale “Liber Tatea” ka vazhduar me ironi ndaj Jordaneskut. “Shuhet legjenda Jordanesku. Një mbrojtës del hero i ndeshjes dhe tallje masive me trajnerin në internet”, shkruan kjo gazetë.

E ashpër ka qenë “Evenimentul Zilei”: “Turp Kombëtar”. Kështu e ka titulluar artikullin për ndeshjen kjo gazetë.

“E turpshme, lojtarët rumunë shtriheshin në tokë në vend që të luanin futboll, dyshime se fjalimet e humbjes i kishin përgatitur para ndeshjes”, vijon ajo më tej.

Me pak fjalë, mediat rumune e kanë përjetuar keq eliminimin nga Euro 2016 të Rumanisë, e cila humbi ndeshjen e djeshme me Shqipërinë falë golit të Armando Sadikut. /albeu.com/
Shtuar më 20/06/2016, ora 09:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori