E vështirë për ta zëvendësuar, Reali ulet në bisedime me Varane
Lajmi se Rafael Varane kishte kërkuar largimin gjatë merkato së verës, fillimisht nuk shqetësoi aspak kampin madrilen, pasi mendohej se klubi do të gjente zëvendësues për futbollistin francez. Por pak nga pak, duke parë alternativat në treg u kuptua se do të jetë e vështirë që të gjendet një zëvendësues i të njëjtit nivel e eksperiencë pa shpenzuar shifra të çmendura. Ndaj klubi k ndryshuar mendje dhe është gati të ulet në tavolinën e bisedimeve me francezin, për ta bindur të qëndrojë.

Futbollisti mendonte se kishte fituar gjithçka në Madrid, ndaj kërkonte një sfidë të re, i ndërgjegjshëm se e ndiqnin me vëmendje klube me shumë emër në Angli, apo edhe PSG, Bajern Mynih e Juventus, sa për të përmendur disa skuadra në kampionate të tjera që e monitorojnë. Pas fitores së 4 Ligve Kampionesh, ai besonte se cikli i tij te madrilenët kishte mbaruar… të paktën deri në rikthimin e Zidan.

Sipas "AS", me kthimin e francezit i cili ishte ai që "sponsorizoi" afrimin tij në Madrid në vitin 2011, situata mund të ndryshojë, pasi trajneri ka një ndikim të madh te bashkëkombësi i tij. Por përtej garancive të Zidan, duhet një sforco edhe nga klubi dhe ky i fundit është gati t’i ofrojë lojtarit përmirësimin dhe rinovimin e kontratës ekzistuese.

Kështu, rroga e tij pritet të shkojë nga 7 milionë euro në sezon, në 9 milionë euro neto në sezon, duke u bërë një nga më të paguarit në klubin ku ka një klauzolë largimi prej 500 milionë eurosh. Në Madrid janë të bindur se kjo lëvizje mund të bindë lojtarin të qëndrojë, edhe pse përflitet se PSG është gati t’i ofrojë shumë më tepër atij për të shkuar në Paris. /albeu.com/
Shtuar më 04/04/2019, ora 19:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori