Edhe Arsenal kerkon Blerim Xhemajlin
Albeu.com
Pas Liverpool, edhe klubi tjetër anglez, Arsenal ka shprehur interesim për shërbimet e futbollistit shqiptar Blerim Xhemajli. Këtë lajm e ka publikuar të mërkurën e përditshmja italiane sportive Corriere dello Sport.“Për Xhemajlin ka oferta edhe nga jashtë Italisë: Liverpool është në krye, kurse prapa tij gjendet Arsenal”.

Megjithatë, mesfushori i Torinos nga të përditshmet italiane sportive shihet më afër Palermos. Sipas Corriere dello Sport, 24 vjeçari ka mundësi të vazhdojë të luajë në futbollin italian, por jo më në Torino. Favorit për ta blerë mesfushorin me nënshtetësi zvicerane shihet Palermo.

“Klubi Rosanero e ka në dorë Xhemajlin dhe po pret vetëm firmosjen e kontratës. Torino do t’i përfitojë 8.5 milionë euro nga kjo shitje”, shkruante në këtë gazetë italiane të mërkurën.

Mirëpo, në garë për reprezentuesin e Zvicrës janë edhe disa ekipe tjera nga elita e futbollit italian.

“Të martën mbrëma kishte një tentim edhe të Udineses, e cila e kërkoi gjysmën e kartonit për 4.5 milionë euro, plus e ofroi në bashkëpronësi mesfushorin Piermario Morosini”, vazhdon artikulli.

Për Xhemajlin interesim kanë shprehur edhe Roma, Lazio, Napoli dhe Sampdoria. Torino e kishte huazuar futbollistin shqiptar gjatë verës së kaluar nga Bolton, ku pati eksperiencë dështuese për shkak të lëndimeve.

Më pas, klubi Granata e shfrytëzoi mundësinë e blerjes përfundimtare duke ia dhënë Boltonit 2 milionë euro. Tash presidenti Urbano Cairo mund ta fitojë katërfishin e këtyre parave, nëse e shet këtë futbollist.

Ish kapiteni i skuadrës zvicerane Zurich nuk dëshiron të luajë në Serie B italiane, andaj e ka shprehur dëshirën e tij për një përvojë të re në elitën e futbollit italian apo diku tjetër.
Shtuar më 23/07/2009, ora 22:48
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori