Edhe Bayern Munchen pas Gareth Bale
Manchester United nuk e ka aspak të shtruar rrugën për të arritur te Gareth Bale. Louis Van Gaal e kërkon me çdo kusht uellsianin dhe për të realizuar dëshirën e tij ka gati 137 milionë euro, por ditet e fundit çështja është komplikuar sepse në garë ka hyrë edhe Bayern Munchen.

Pep Guardiola ka një simpati të madhe për sulmuesin e Realit dhe në këtë pikë, vendimtare do të jetë dëshira e lojtarit. Lajmin e bën të ditur "Daily Mail" që thekson se Bale do të bëhet kryefjala e merkatos së verës pasi karriera e tij në Spanjë duket se po shkon drejt fundit.

Guardiola e ka ndjekur për një kohë të gjatë uellsianin dhe mendon se ai është elementi i duhur për të blinduar krahun e majtë të sulmit të skuadrës gjermane pasi epoka e Ribery duket se ka përfunduar. Gjithsesi, vetë lojtari duket se nuk dëshiron të dorëzohet pas dy sezoneve me fanellën e "Merengues" sepse ai synon ta fitojë bastin me tifozët, të cilët e kanë vërshellyer shpesh herë gjatë këtij sezoni.

"Duhet të punoj sa më shumë pasi kam ende mundësi për t’u përmirësuar. Lajmet për të ardhmen time nuk i lexoj sepse mbetem i përqëndruar te futbolli dhe shpresoj të vazhdoj në këtë rrugë sa më gjatë", u shpreh uellsiani në një intervistë përpara disa ditësh.

Një deklaratë që shkon në veshin e trajnerit Ancelotti, i cili duhet t’i sigurojë më shumë hapësira, pavarësisht sezonit jo shumë të mirë që Bale po zhvillon. /albeu.com/
Shtuar më 03/05/2015, ora 11:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori