Edhe shtypi britanik kundër Tevezit, por…
E përditshmja britanike "Daily Mail” ka gërmuar arkivat dhe ka gjetur një precedent të trajnerit të Cityt Roberto Mancinit, të ngjashëm me atë të argjentinasit

"Fillo nxemjen se do të fus në lojë". Ky ka qenë paralajmërimi i përsëritur i Roberto Mancinit drejtuar Carlos Tevezit, por që për fat të keq ka rënë në vesh të shurdhët pasi argjentinasi, fillimisht është përgjigjur me një "jo" të thatë dhe më pas me përgjigjen ironike "pse?". Në këtë pikë, tekniku italian ka humbur durimin duke iu kundërpërgjigjur Tevezit: "Shporru në Argjentinë".

Ka qenë pikërisht kjo situata, e cila e ka detyruar klubin e Manchester Citit që ta penalizojë me 500 mijë paund dhe dy javë sulmuesin argjentinas.

Ngjarja është përcjellë e detajuar mëngjesin e djeshëm në faqet e gazetave "The Sun" dhe "Mirror", ku është përshkruar sjellja arrogante që Tevez ka shfaqur kundër trajnerit të tij.

E ndërsa "Mirror" ka publikuar të gjitha bëmat e Tevezit që prej zbarkimit të tij të parë në 2006-ën, "Daily Mail" ka gërmuar nëpër arkiva dhe ka zbuluar se edhe Mancini njëherë e një kohë është përfshirë në një situatë të tillë sikurse Tevezi.

Gjithçka ndodhi gjatë ndeshjes kundër Interit: Sampdorias do t'i mohohej një penallti, ndërkohë që Mancini do të dilte nga fusha në shenjë proteste, duke bërtitur se nuk do të luante më kurrë.

Erikson u përpoq t'i ndryshonte mendjen, madje situata degradoi në një zënkë mes tij dhe lojtarit brenda fushës. Erikson e urdhëroi Mancinin të rihynte në fushë.

Dhjetë minuta më vonë ai do të ndëshkohej me karton të kuq pas fyerjeve ndaj arbitrit dhe kësaj herë do të largohej direkt nga fusha, çka do t'i kushtonte 6 javë skualifikim. /albeu.com/
Shtuar më 01/10/2011, ora 11:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori