"Egbo duhet të jepte dorëheqjen kur doli kampion me Tiranën", Lila komenton dhe suksesin e Kombëtares
Ish-futbollisti i Kombëtares, Andi Lila, foli pas triufmit të Shqipërisë 3-1 ndaj Kazakistanit.

I ftuar në studion e emisionit “Sport News Plus”, kavajasi analizoi situatën aktuale te kuqezinjtë, ndërkohë që nuk mungoi dhe një koment për shkarkimin e Emanuel Egbo nga Tirana, duke u shprehur:

Ecuria- Ekipi jonë Kombëtar ndodhet në vazon C. Ne meritojmë të jemi në Ligën B. Skuadrat që kemi në grup nuk duhet t’i diskutojmë fare. Nuk duhet të krahasohen fare me ne.

Jam i bindur plotësisht se do të jemi në vend të parë. Duhet të bëjmë llogaritë me Slloveninë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, për ndeshjet e marsit. Nuk duhet ta diskutojmë fare vendin e parë. Të kalojmë nga Liga e kombeve, në objektivin madhor që ne duam, ashtu siç bëri Maqedonia që u fut në Europian.

Ndryshimet- Në formacionin e sotëm kemi disa futbollistë nga epoka e artë e De Biazit. Ata i dhanë tonin ekipit Kombëtar. Ishin më të mirët në fushë. Ne themi rinovim rinovim, por duhet të jemi të kujdesshëm. Ekipi Kombëtar është i ndjeshëm. Gabimet nuk tolerohen, koha në dispozicion është e shkurtër. Sot pashë mobilizim nga të gjithë çunat. E nisën me një presing të ardhshëm.

Skema- Me 3-5-2 ke një avantazh shumë të madh në fazën sulmuese sepse je me 5 lojtarë. Ke një ekuilibër si skuadër. Reja është trajner i shkollës së vjetër. Ka trajnuar skuadra shumë të mira në Serinë A. Ekipi po merr fizionominë e trajnerit. Jam shumë optimist. U befasova edhe nga Çepele në ndeshjen ndaj Kosovës.

Kampionati shqiptar- I përmbahem idesë time personale, kur them se duhet të ketë më shumë lojtarë nga kampionati shqiptar. Duhet që nga Shqipëria të bëjnë bumin e madh. Ka futbollistë shumë të mirë kampionati shqiptar. I sygjeroj t’i hedhin sytë nga kampionati shqiptar. Që t’i risim nivelin kampionatit, duhet të grumbullohen më shumë futbollistë.

Memushaj- Po të isha unë trajner i Kombëtares, do të fusja Memushajn dhe 10 të tjerë. Ai çdo ditë bëhet dhe më i mirë. Te goli i parë i Cikalleshit ishte ai strumbullari.

Shkarkimi i Egbosë- Në momentin që trajneri arrin kulmin e vetë, duhet të largohet dhe të shikojë për një skuadër tjetër më lartë. Të njëjtën gjë duhet të bënte Egbo. Apo edhe De Biazi, kur na çoi në Europian. Egbo e tregoi veten. Unë kam qenë pjesë e atij ekipi vjet.

Të isha unë në vendin e Egbosë do të jepja dorëheqjen kur doli kampion. Jam shumë kurioz ta shikoj Egbonë me një skuadër tjetër, për t’i bërë një vlerësim më real dhe më të kthjellët. Karabecin, Muçën, Ngonë dhe Dokën, nuk duhet t’i hiqte. Duhet të bënin çmos t’i mbanin. Ishin flamujt e skuadrës. Ky mund të jetë një gabim i klubit”, u shpreh Lila.
Shtuar më 15/11/2020, ora 23:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori