Ekipi i Erdogan nuk di të fitojë më, rihapet lufta për titull në Turqi
Dukej sikur ky ishte viti i duhur. Istanbul Bashakshehir, skuadra e cila është në pronësi të Ministrisë së Rinisë dhe Sportit në Turqi dhe që ndiqet personalisht nga presidenti Reçep Erdogan, ishte dominuese thuajse gjatë të gjithë sezonit në rrugëtimin për titullin kampion, të parin në historinë e saj.

Në momente të veçanta të sezonit, skuadra pjesë e të cilës janë emra si Arda Turan, Klishi, Emre, Elia, Robinjo, Inler e Adebajor sa për të përmendur disa, ishte shumë e shkëputur aq sa titulli dukej formalitet. Por ajo ka filluar prej disa javësh një rënie të ndjeshme që u ka mundësuar ndjekësve t’i afrohen e tani t’i rrezikojnë kreun.

Në 6 ndeshjet e fundit, skuadra ka marrë vetëm 1 fitore dhe 6 pikë në total, duke humbur të gjithë avantazhin që kishte. Me barazimin e të premtes ndaj Sivaspor pa gola, ekipi vazhdon të jetë në kryesim në kuotën e 63 pikëve, por Gallatasaraj i vendit të dytë ka mundësi t’ia rrëmbejë këtë pozicion pasi është në kuotën e 60 pikëve, me një ndeshje më pak dhe një golavarazh shumë më të mirë.

Problemi është që Gallatasaraj këtë javë ka një ndeshje shumë të luftuar, derbin ndaj Beshiktash i cili vetë nuk është shumë larg në renditje, pasi ka 59 pikë e mund të bëhet faktor për titullin në rast fitoreje, Ndaj derbi i Stambollit këtë javë bëhet më i nxehtë se kurrë dhe mund të vendosë realisht fatin e titullit kampion. Nëse gjithçka mbetet e hapur, atëherë ndeshja direkte e 19 majit mes Gallatasarajit dhe Istanbul Bashakshehir, do të jetë ajo që do t’i vërë vulën titullit për këtë sezon.
Shtuar më 04/05/2019, ora 09:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori