Ekipi i vetëm në Serie A që nuk është mposhtur nga Juventusi, Spezia e Ismajlit duhet të ruajë rekordin
Juventus do të kërkojë të reagojë në kampionat, teksa do të bëjë gjithçka për të lënë pas krahëve dy barazimet në Serie A (Verona dhe Krotone), por më shumë për të harruar disfatën në Ligën e Kampionëve ndaj Barcelonës.

Por, nuk do të jetë e lehtë për bardhezinjtë e trajnerit Andrea Pirlo, të cilët do të udhëtojnë në transfertë përballë Spezias. Kjo sepse vendasit në ndeshjen e orës 15:00 të së dielës, do të kenë në anën e tyre statistikat.

Juventus nuk ia ka dalë asnjëherë të fitojë ndaj Spezias në gjashtë përballjet e tyre në histori, teksa statistikat flasin për katër barazime dhe dy fitore të ekipit aktual të mbrojtësit të kombëtares, Ardian Ismajli.

Përballja e parë daton në vitin 1921 në Torino, sfidë e cila është mbyllur me rezultatin 2-2. Në ndeshjen e kthimit, përballja përfundoi po në barazim 1-1. Fitorja e parë e Spezias vjen në sezonin pasardhës me rezultatin 1-0, ndërsa sfida e radhës mbyllet 0-0.

Për të ardhur më pas në kohë më të afërta, në sezonin 2006-2007 teksa dy ekipet u ndeshën në Serinë B. Në ndeshjen e parë në transfertë, Juventusin e shpëtoi një gol i vonë i Nedved për të shmangur humbjen dhe kështu 90 minutat u mbyllën 1-1, ndërsa në Torino, triumfuan miqtë me rezultatin 3-2 duke zhvlerësuar golat e Trezege dhe Bianko.

Kështu, Juventus në afro 100 vite histori, nuk ka fituar ndaj Spezias dhe do të tentojë të thyejë tabunë. Ndërkaq, i vetmi lojtar që ka mbetur në radhët e bardhezinjve prej herës së fundit kur ata u ndeshën me Spezian në Serinë B, është i përjetshmi Xhanluixhi Bufon.
Shtuar më 30/10/2020, ora 19:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori