Ëndërroj ti dorëzoj Championsin Juves
Mishel Platini e ndoqi në Novara Juventusin, në fitoren 4-0, por ish-fantazisti francez rikthehet të flasë për bardhezinjtë pas fitores së titullit kampion. Si një nga legjendat e këtij klubi, presidenti aktual i UEFAs ka nostalgji për ngjyrat e ish-ekipit të tij, por edhe një ëndërr që shpreson ta kurorëzojë.

“Suksesi i Juventusit është më se i merituar. E pashë ndeshjen e fundit të saj, mjaft e vështirë, por e bukur. Kjo fitore mendoj se përbën një rikthim fantastik, pas disa vitesh tepër të vështira. Por këto janë ekipet e mëdha, sepse pagoi si asnjë tjetër me Serinë B dhe brenda 6 viteve u ngjit sërish në majën e futbollit italian. Di që për ta ky rikthim nuk ka qenë i lehtë, por unë gjithmonë kam pasur besim. Kjo gjë është diçka e bukur për futbollin italian, për tifozët, për familjen Juventus”.

Lidhur me pasimin e tij bardhezi, Platini thekson: “S’dua që ta ngatërroni zemrën time me rolin politik që kam. Unë jam president i UEFA-s, jam neutral, por në të njëjtën kohë edhe një njeri që ka një zemër. Askush nuk mund të më pengojë të jem i lumtur për Juven, sepse kjo nuk do të thotë që në të ardhmen t’i dhuroj një arbitër që të favorizojë atë. Madje, kur vendosa të bëhem president i UEFA-s, gjëja e parë që ëndërrova është t’i dorëzoj Champions- in ish-skuadrës sime, – vazhdon presidenti i UEFAs, i cili paralajmëron bardhezinjtë.

Mbi titullin nuk kam dyshime, por sivjet Juvja ishte e përqendruar vetëm në kampionat, ndaj e kishte të lehtë t’i menaxhonte ndeshjet. Por sezonin e ardhshëm, me rikthimin në Ligën e Kampioneve, nevojitet dyfishi i sforcos së bërë sivjet. Të kërkosh të fitosh menjëherë në Evropë mund të rezultojë një vetëvrasje. Personalisht nuk mendoj se Juvja ka një grup të fortë aq sa për të fituar në Evropë, por mbi të gjitha dua t’i këshilloj ata që të bëjnë kujdes, pasi duke u përqendruar më shumë në Evropë, mund të dështojnë totalisht edhe në kampionat. Sekretet e Juves? Pirlo dhe Konte”, – përfundon Mishel Platini.
Shtuar më 09/05/2012, ora 19:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori