Ëndrrat për kualifikim, rruga kalon sot nga Franca
Shpresat për një kualifikim në fazën finale të EURO2020, Kombëtarja Shqiptare vijon t’i ketë. Por rruga drejt arritjes së madhe kalon nga Franca.

Pikërisht atje ku kuqezinjtë morën pjesë për herë të parë në një Europian, në Francë, kuqezinjtë do të përballen me vendasit, në stadiumin “Siant Denis” të Parisit, me takimin që do të startojë në orën 20:45.

Trajneri Edi Reja ka grumbulluar futbollistët që gëzojnë formën më të mirë në këtë fillim kampionati, ndërsa në konferencën e sotme për shtyp u shfaq i qetë dhe theksoi se angazhimi maksimal dhe shmangia e gabimeve, janë receta e suksesit ndaj “Gjelave”.

Nga ana tjetër, Franca mban kreun e grupit me 9 pikë, ndërsa sot trajneri Deschamps do të duhet të bëjë llogaritë edhe me disa mungesa të rëndësishme, siç janë ato të Kilyan Mbappe, Paul Pogba, Aymeric Laporte dhe N’Golo Kante.

Megjithatë vendasit janë kampionët në fuqi të botës dhe në shtëpinë e tyre janë dukshëm favoritë përpos mungesave, por kuqezinjtë e Reja-s janë të bindur të luftojnë në fushë, për t’ia lënë kësaj të fundit verdiktin final të takimit.

Vlen të theksohet se vetëm 3 ditë më vonë Shqipëria do të përballet me Islandën në “Elbasan Arena”, një ndeshje ku 3 pikët janë detyrim për të shpresuar te kualifikimi, por si trajneri, ashtu edhe futbollistët janë shprehur se theksi mbetet te përballja e sotme me “gjelat” dhe se vetëm më vonë do të mendohet për kundërshtarin e radhës.

Formacioni i mundshëm: Strakosha; Mavraj, Gjimshiti, Ismajli; Hysaj, Abrashi, Xhaka, Ramadani, Lenjani; Balaj, Uzuni
Po për grupin H, sot luhen edhe dy takime të tjera, ku Turqia do të presë në shtëpi Andorrën dhe Islanda do të presë Moldavinë. Në të dy takimet, skuadrat vendase janë dukshëm favorite dhe kanë detyrim fitoren ndaj dy kundërshtarëve si Andorra e Moldavia, që shihen si më të dobëtat e grupit.
Shtuar më 07/09/2019, ora 13:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori