Erdhi si "blindues", por sot fajësohet si shkaktar i mbrojtjes së dobët
Erdhi në verë me bujë të madhe se do të rikthente Milanin përsëri në maja duke e bërë mbrojtjen e pa kalueshme. Por për Leonardo Bonuccin gjërat nuk po shkojnë ashtu siç parashikohej.

Ish- mbrojtësi i Juventusit nuk po kalon një formë të mirë, të paktën jo si atëherë kur luante me “Zonjën e Vjetër”.

Prapavija e kuqezinjve “fut ujë” dhe Montella, në tentativën për të ndryshuar diçka, provoi edhe rreshtimin me 3, për t’i dhënë mundësinë lojtarit që të shprehte vlerat e tij në një rol të ngjashëm me atë që mbulonte te Juventusi.

Por përsëri Bonucci po dhuron gabim pas gabimi, siç bëri një natë më parë ndaj Rijekës, raporton OraNews. Mediat italiane kanë qenë të pamëshirshme me të në vlerësimet për atë që dha në ndeshje, ku u cilësua lojtari më i dobët.

“La Gazzetta dello Sport” i vendosi notën 5 për paraqitjen e tij, duke fajësuar atë për golat e shënuar nga kroatët. E njëjta notë edhe nga “Tuttosport” e cila kujton se ditën para ndeshjes lojtari kishte thënë se nuk ishte i kënaqur nga rendimentin i tij.

“Corriere dello Sport” i jep një gjysmë note më shumë, por nuk kursen ironinë. “Ka të drejtë, nuk është problem i mbrojtjes me 3 apo 4 lojtarë, është ai që bën gabimet”, shkruhej në komentin e kësaj gazete.Vetë Bonucci ka zgjedhur rrjetet sociale për t’i dhënë fund polemikave. “Kemi fituar, vetëm kjo kishte rëndësi. Tani mendjen te e diela”, ishin fjalët e tij në një postim në Instagram.

Por këtë radhë tifozët e Milanit nuk e kanë falur dhe brenda pak minutash, postimi është mbushur me kritika, duke e ftuar mbrojtësin të zgjohet nga gjumi dhe të tregojë të paktën se meriton shiritin e kapitenit që i besoi klubi. /albeu.com/
Shtuar më 30/09/2017, ora 09:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori