Eredivisie, zhgënjejnë Ajax dhe PSV (VIDEO)
Pas dy barazimeve radhazi, Ajaxi zhgënjen sërish, këtë herë duke u mundur minimalisht në shtëpi 1-0 nga Vitesse. Që në start të takimit miqtë u shfaqën kërcënues me rastin e parë të pastër në një kundërsulm me Mike Havenaar që godet, por Christian Poulsen arrin të shmangë golin. Edhe në fillim të 45 minutave të dyta Jasper Cillessen bën mrekullinë duke i mohuar golin ekuadorianit Renato Ibarra.

Rastet nuk mungojnë edhe për kampionët në fuqi të Hollandës dhe i tillë ishte ai i sulmuesit 19-vjeçar Viktor Fischer, që shkelmon topin nga një goditje e lirë por që për fat të keq nuk përfundon në rrjetë. Momente ankthi në Amsterdam Arena dhe heshtja pllakos atëherë kur ndeshja duket se do të përfundojë në barazim pa gola, por Qazaishvili shënon në limit për Vitessen, që jo pa derdhur djersë arrin të marrë 3 pikë shumë të rëndësishme për pozicionin e saj mes ekipeve kryesuese.

Ndërkohë kjo disfatë nuk i shërben aspak moralit të Ajaxit të De Boer, që jo vetëm ia bën më të vështirë fushatën vetes për mbrojtjen e titullit, por gjithashtu duhet të nisë të mendojë për sfidën e radhës me Celtic në Champions League.

Zhgënjeu në kampionatin holandez edhe PSV Eindhoven, që pas dy humbjeve të fundit nuk arrin të ngrejë kokën. Gjithsesi barazimi 1-1 në shtëpi për skuadrën e Phillip Cocu me PEC Zwolle shijon po aq sa fitorja.

Në “Philips Stadion”, fillimi i ndjeshjes u duk mjaft premtues për 21 herë kampionët e Eredivisie me Bruma që e çon në 1-0 rezultatin që në minutën e tretë. Zwolle replikon shumë shpejt ndaj këtij goli me Benson që e kthen takimin në barazpeshë për të dyja ekipet. Sulmuesi me origjinë nga Gana bëhet protagonist pak para fundit të takimit me kundërshtimin ndaj një vendimi të gjyqtarit dhe për pasojë ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë.

Sidoqoftë, kjo dalje e Benson nga loja nuk ndikon në ato pak minuta të mbetura, pasi si PSV, ashtu edhe Zwolle ndajnë në fund nga një pikë pas kësaj përballjeje. /albeu.com/
Shtuar më 03/11/2013, ora 10:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori