Eric Abidal, lamtumirë mes lotëve
Eric Abidal i ka dhënë lamtumirën Barcelonës përmes një konference shtypi që u shoqërua me emocione, lot dhe fjalë të mira. Mbrojtësi francez e ka konfirmuar largimin nga Barcelona duke thënë se dëshira e tij ishte për të qëndruar ende në këtë skuadër.


"Në vitet e fundit unë kisha dy objektiva kryesorë: doja që të mbijetoja për t’i parë vajzat e mia duke u rritur pranë gruas time dhe që të vazhdoja të isha lojtar i Barcelonës. Tani jam një futbollist përsëri, por e kam respektuar vendimin e skuadrës që të largohem. Unë kurrë në jetë nuk mund të harroj atë se çfarë ka bërë Barcelona për mua. Nuk mund t’i harroj tifozët e kësaj skuadre për mbështetjen që më kanë dhënë në momentet më të vështira të jetës. Jam një njeri shumë i lumtur që këto vite kam qenë lojtar i skuadrës më të mirë në botë", tha mes të tjerash Eric Abidal.

Në këtë konferencë për shtyp ka qenë i pranishëm edhe presidenti i skuadrës katalanase, Sandro Rosell. Ai ka thënë fjalë më të mira për mbrojtësin francez në largim.

"Abidal ka fituar zemrat tona për shumë vite. Ai na ka dhënë të gjithëve një mësim të përjetshëm se si duhet të luftosh me të gjitha për të arritur diçka. Abidal nuk do të jetë më lojtar i yni, por i ka gjithmonë dyert e hapura për çdolloj pozicioni tjetër në skuadër. Kur të pensionohet nga futbolli i luajtur, ai do të bëhet drejtor i shkollave të Barcelonës në mbarë botën. Pra, kjo nuk është një lamtumirë përfundimtare, sepse do të shihemi më vonë. Dyert e klubit të Barcelonës janë të hapura për ju, Eric", deklaroi numri një katalanas.

Drejtori Sportiv i Blaugranëve, Andoni Zubizarreta tha se ndihet shumë i emocionuar që Abidal nuk do të jetë më lojtar i Barcelonës, por nënvizoi se nuk do ta harrojnë kurrë.

"Me Abidal ne qeshnim, bërtisnim, vuanim, gëzoheshim, lëndoheshim. Unë kurrë nuk e harroj momentin kur e pashë atë në sallën e operacionit dhe pas disa muajsh e pashë atë në fushën e futbollit. Jeta është më e rëndësishme se fubolli", deklaroi Zubizarreta. /albeu.com/



Shtuar më 30/05/2013, ora 16:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori