Eriksen "sms" Contes: Dua më shumë minuta
Raporti mes Antonio Contes dhe Cristian Eriksenit nuk ka lulëzuar asnjëherë dhe mesfushori i blerë në janar nga Totenhemi përfaqëson një nyje që në njëfarë mënyre duhet të zgjidhet përpara fundit të merkatos.

Cilësitë e danezit nuk janë në diskutim pasi njihet si një lojtar i aftë të bëjë diferencën. E ka treguar në disa raste tek Interi, pavarësisht se mundësitë e ofruara kanë qenë vërtet të pakta, pasi edhe vetë blerja e danezit nuk ka lumturuar asnjëherë trajnerin, i cili në mesfushë do të kishte preferuar profile të tjera, si ai i Arturo Vidalit apo Ngolo Kantes.

Gjatë një interviste të dhënë fundjavën e kaluar, pas sfidës së përfunduar kundër Belgjikës, për televizionin danez "Kanal 5" Cristian Eriksen është rikthyer te gjashtë muajt e tij të parë tek Interi, duke pranuar se do të kishte dashur të kalonte më shumë minuta në fushë dhe i ka dërguar një "SMS" Kontes.

"Do të më kishte pëlqyer të luaja disa minuta më shumë, kështu do të kisha pasur mundësi të provoja situata të reja. Megjithatë, ato që kanë më shumë rëndësi janë zgjedhjet e trajnerit. Kemi fituar një numër të jashtëzakonshëm pikësh, fituam një numër të madh ndeshjesh dhe shënuam një numër të madh golash, më shumë se ç’kishin shënuar përpara nesh; pa harruar që pësuam më pak se të gjitha skuadrat në kampionat.

Shkuam edhe në finalen e Ligës së Europës, ku Interi mungonte prej shumë vitesh. Ndaj, në një skuadër si kjo është e vështirë të afrohesh dhe të thuash se dëshiron të luash gjithmonë. Sa më shumë minuta të ofrohen, aq më shumë duhet të japësh në fushë. Por e përsëris: Normalisht mund të bëhej më mirë, megjithatë në fund mendoj se është e vështirë kur skuadra fiton".

Shtuar më 08/09/2020, ora 23:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori