Europa League, Ferguson i trembet Bilbaos
Manchester United ka fituar vetëm një nga katër ndeshjet e fundit në shtëpi në kompeticionet evropiane. Trajneri Alex Ferguson u ka kërkuar futbollistëve që të rikthehen në maksimumin e tyre dhe të tregojnë forcën e vërtetë në fushën e lojës.

“Kemi kohë që nuk luajmë si duhet në Evropë. Duhet të rikthemi te paraqitja e denjë në fushë, pasi na mungon. Lojtarët kanë nevojë të zgjohen dhe duhet ta tregojnë këtë kundër Atletik Bilbaos. Ndeshja e parë është shumë e rëndësishme për kualifikimin, pasi spanjollët janë mjaft të fortë në fushën e tyre. Është e rëndësishme që të fitojmë pa pësuar gol në “Old Trafford”, për të qenë më pranë kualifikimin”, u shpreh Sir Alex.

Ai parashikon një duel mjaft të vështirë ndaj klubit spanjoll, duke analizuar edhe pikat e forta të baskëve. “Ata janë tepër të fortë fizikisht dhe do luftojnë me një ritëm të lartë deri në sekondën e fundit. Duhet të jemi të përgatitur që të përballojmë me zgjuarsi fuqinë e tyre fizike, ndërkohë që duhet të jemi të kujdesshëm gjithashtu nga kundërsulmet dhe lufta në ajër. Nga krahët kanë futbollistë shumë të shpejtë, ndërsa në sulm kanë Llorenten, i cili është i vështirë për t’u markuar për goditjet me kokë. Janë një sërë faktorësh ndaj të cilëve duhet të jemi të kujdesshëm. Gjithsesi, unë kam besim të plotë te lojtarët e mi. I kemi hyrë misionit për ta fituar Ligën e Evropës dhe nuk i lejojmë vetes asnjë gabim”, shtoi Ferguson, duke pranuar edhe një herë tjetër se synojnë triumfin në “trofeun e vogël” të Evropës.

Ndeshja e fundit e luajtur mes Atletik Bilbaos dhe Manchester United daton në vitin e largët 1957, kur në atë kohë anglezët fituan me rezultatin 3-0 në stadiumin “Maine Road”, pasi “Old Trafford” ishte i dëmtuar nga bombat. /albeu.com/
Shtuar më 08/03/2012, ora 17:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori