Fabio Cannavaro: Prishëm trofeun e Kupës së Botës sapo u kthyem në Romë
Fabio Cannavaro vazhdon të argëtojë çdo ditë ndjekësit me bashkëbisedimet e itj në Instagram me lojtarë e ish-lojtarë, duke kujtuar historitë e periudhës kur ai ishte vetë futbollist e sidomos nga ato të Botërorit 2006, kur Italia bëri të sajën trofeun.

Një trofe që me sa duket të kaltërit e kanë shkatërruar, sipas vetë fjalëve të ish-mbrojtësit.

“Kupa e Botës e vitit 2006? Sapo mbërritëm në Romë e prishëm”, tha ai duke qeshur për trofeun me të cilin kishte fjetur në shtrat në natën pas finales. Por më pas ai i qetësoi të gjithë duke shpjeguar se ishte një kopje. “Kupa që të japin gjatë ceremonisë dhe që shihet në TV është ajo e vërteta. Pastaj FIFA, për çështje sigurie, të jep një kopje dhe është ajo që prishëm ne në Romë”, shtoi mbrojtësi i cili tregoi edhe protokollin e rreptë që ka për trofeun në fjalë.

“Ata që nuk janë kampionë nuk munden as ta prekin trofeun, përveçse me dorashka të bardha. Në vitin 2010, kur m’u desh ta dorëzoja në ceremoninë e fillimit të Botërorit, një person nga ata të sigurisë më kërkoi të mbaja dorashka. Por pastaj dikush nga FIFA duhet t’i ketë thënë se mund ta mbaja”, tregoi ish-kapiteni i Italisë, ai që ngriti lart trofeun i pari në vitin 2006.
Shtuar më 19/05/2020, ora 23:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori