Fabio Capello, nga Anglia te bastet
Ish-trajneri i përfaqësueses angleze, Fabio Capello, gjatë një interviste ekskluzive për të përditshmen italiane “La Gazzetta dello Sport”, ka mohuar dëshirën për të marrë drejtimin e ndonjë klubi me peshë në Itali, përveçse si drejtues i lartë. Të shumta kanë qenë temat që ka prekur gjatë kësaj interviste tekniku friulan, duke filluar që nga eksperienca e tij me “Tre Luanët”, çështja “Terry” e deri te skandali i basteve.

“Jam ndier mirë në Angli. Është një vend i mrekullueshëm ku mund të punosh i qetë. Ka qenë një eksperiencë e bukur. Londra është një qytet fantastik. Raporti im me futbollistët ka qenë i mirë, deri në momentin që shpërtheu çështja ‘Terry’. Nuk arrija ta kuptoja se pse duhej t’i hiqja shiritin e kapitenit Territ, duke qenë se gjykata akoma s’e kishte marrë vendimin e saj. Për mua një person është i pafajshëm derisa gjykata nuk e dënon atë. Unë thashë të prisnim vendimin e më pas të vepronim. Mirëpo ata nuk pranuan, kësisoj unë dhashë dorëheqjen”, u shpreh Capello.

Don Fabio, siç thirret ndryshe në Itali Fabio Capello, është i mendimit se personat që manipulojnë ndeshjet, duhen bërë shembull për të tjerët dhe brezat që vijnë: “Gjithmonë është dikush që kërkon të jetë më i zgjuar se të tjerët. Dhe janë të shumtë personat që kërkojnë ta manipulojnë këtë sport të bukur. Të gjithë këta duhen ndëshkuar. Por drejtuesit e klubeve dhe trajnerët duhet të tregohen më të kujdesshëm”, – thotë ish-trajneri i Juves, Milanit dhe Real Madridit, i cili, përpos gjithçkaje, nuk e mohon eksperiencën e tij në kampin bardhezi me Moggin dhe Giraudon. “Kjo është një histori tjetër, – vijon Kapelo. – Madje jam i lumtur që kam pasur fatin të punoj me të dy, të cilët i kam miq të mirë”, përfundoi Capello. /albeu.com/


Shtuar më 19/03/2012, ora 19:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori