Falcao: Real Madrid? Nuk di asgjë
Pëlqej
Radamel Falcao quhet telenovela më e re e kësaj merkatoje verore. Do të shkojë apo jo kolumbiani te Reali i Madridit? Eshtë kjo një nga dilemat më të mëdha që po i mundon të gjithë. I rikthyer pas dëmtimit të rëndë që e mbajti për muaj të tërë larg futbollit, "El Tigre" u shfaq sërish mjaft në formë në miqësoren ndaj Arsenalit, madje loja e tij fantastike kulmoi me gol në minutën e 36-të.


Pas takimit, ylli kolumbian u pyet për të ardhmen, por përgjigja ndoshta nuk ishte ajo që prisnin gazetarët.

"Real Madrid? Nuk kam dijeni për asgjë. Për momentin nuk mund të mendoj për ndonjë klub tjetër, përkundrazi, jam i fokusuar te puna me skuadrën dhe pres që trajneri i Monacos të më aktivizojë kur të jetë e nevojshme", është shprehur Falcao.

Për Falcaon ishte një ndeshje vërtet impresionuese përballë djemve të Arsene Wenger, deri në momentin e zëvendësimit nga Germain. Interesimit për të ardhmen e kolumbianit nuk mund t’i shmangej as zëvendëspresidenti Vadim Vasyliev. Numri dy i klubit nga Principata, ashtu si "El Tigre", siguroi se sezoni i ardhshëm për Monacon do të jetë me Falcaon në skuadër, ndërkohë që lëshoi sinjale të tjera në adresë të Real Madrid.

Edhe pse çështjen e portës nuk e konsideroi si prioritet të momentit, Vasyliev pohoi se Diego Lopez është një portier i madh, një nga më të mirët në botë, por vetëm kaq dhe asgjë më tepër. /albeu.com/
Shtuar më 04/08/2014, ora 11:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori