Fatih Terim, trajneri i ri i Inter?
Fatih Terim
Është bërë një frazë e lodhshme, por derisa ky vendim të jetë përfundimtar duhet theksuar se Klaudio Ranieri vështirë se do të konfirmohet në pankinën e Interit edhe për sezonin e ardhshëm. Shpresa e vetme e trajnerit roman është një kualifikim në Ligën e Kampioneve, por duke parë që senatorët e skuadrës nuk e ndjekin 61-vjeçarin, mbase as ky objektiv nuk do ta shpëtojë pankinën e tij. Për këtë arsye ankandi për stolin zikaltër është hapur dhe me kalimin e ditëve pretendentët sa vijnë e shtohen në axhendën e presidentit Masimo Morati.

Ky i fundit ka një preferencë personale që tashmë nuk është më një surprizë, Andre Vilas Boasin, por duke parë aventurën e tij te Çelsi, kjo zgjedhje mund të rezultojë një thikë me dy presa. Gjithsesi, mediat angleze flasin për një drekë mes tyre në Londër dhe mbase një takim i tillë nuk ka qenë thjesht rastësor, ndaj linjat e para të një tratative të mundshme janë hedhur. Por, një sfidë e bukur dhe një zgjedhje bindëse duket edhe ajo e Loran Blankut, kreu i pankinës së Francës.

Trajneri i “Gjelave” e ka konfirmuar disa muaj më parë se nuk do të rinovojë me përfaqësuesen e vendit të tij, sepse pas Bordosë kërkon një sfidë të madhe dhe si ish-kapiten i Interit, një aventurë në stolin milanez do të ishte sfida më e bukur e karrierës së tij. Ndaj, edhe pse përflitet shumë për Boasin, Blank duket disi më i favorizuar në zgjedhjen e Moratit sepse, mbi të gjitha, është një person që e njeh mirë atmosferën e skuadrës dhe ambientimin do ta ketë tepër të lehtë.


Por një surprizë e bukur dhe një bast interesant do të ishte ish-milanisti Fatih Terim. Trajneri turk, i cili po fluturon edhe njëherë tjetër me Gallatasarain e tij në kampionatin vendës, duke kryesuar bindshëm, ka marrë disa oferta në kohët e fundit, një prej të cilave mund të mbajë edhe logon e Interit. Prandaj, ai u ka kërkuar pak kohë drejtuesve të skuadrës së tij, të cilët i kanë ofruar rinovimin duke parë që kontrata mes palëve përfundon këtë verë.

Fatih Terim është një emër i njohur, por në Serinë A me Milanin (viti 2001) dështoi, ndaj një rikthim i mundshëm në Itali mund të përbëjë një bast për t’u fituar jo vetëm nga Masimo Morati, por edhe nga vetë trajneri 58-vjeçar. /albeu.com/
Shtuar më 10/03/2012, ora 12:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori