Federata e çiklizmit: Nuk kemi as 15 mijë euro për biçikletë
Një ditë pas njoftimit të çiklistit të Kombëtares shqiptare, Ylber Sefa, se kishte vendosur të tërhiqej nga kampionati botëror që mbahet më 17-24 shtator në Bergen të Norvegjisë për shkak se nuk kishte biçikletë, ka reaguar Federata Shqiptare e Çiklizmit.


Në një reagim për gazetën “Panorama Sport”, sekretari i përgjithshëm i FSHÇ-së, Alfred Tahiraj, i ka dhënë të drejtë çiklistit, ndërsa ka pranuar se ky institucion e ka të pamundur financiarisht të mbulojë shpenzimet për blerjen e një biçiklete kronometri.

“Çiklisti ka të drejtë, ku t’i gjejë federata fondet për të blerë biçikleta kronometri që kushtojnë 15 mijë euro minimalja. Në dijeninë tonë, Sefa ka pasur një komunikim me skuadrën e Sky për ta pajisur me një biçikletë kronometri vetëm sa për garë, por nuk ia mundësuan dot.

Kështu që nuk do të vijë në Botëror, ndërsa dy çiklistët e tjerë do të konkurrojnë pasi i kanë biçikletat. Të shpenzosh 15 mijë euro është luks”, ishte qëndrimi i sekretarit Tahiraj. Sakaq, sipas Tahirajt, Eugert Zhupa dhe Redi Halilaj do të marrin pjesë vetëmgarën e kronometrit, raporton Panorama.

“Të tre çiklistët do të konkurronin vetëmgarën e kronometrit, pasi nuk kanë kuotën për garën e Rrugës, duhen 400 pikë për një kuotë të tillë. Ndërsa në kronometër ka gjithmonë kuota”.

Në fund të deklaratës, Tahiraj konfirmoi edhe donacionin e pak kohëve më parë të Federatës Europiane të Çiklizmit për Federatën Shqiptare me 30 biçikleta, por këto vetëm për garën e Rrugës. Këto biçikleta, Tahiraj bëri me dije se i kanë shpërndarë nëpër klube.

Një ditë më parë, Sefa shprehu zhgënjimin e tij për mundësinë e artë të humbur për të qenë në Botëror. “Të përgatitesh një vit të tërë, një vit sakrificë për të pritur garën më të rëndësishme, siç është kampionati botëror, ku të jepet mundësia të jesh pjesëmarrës i këtij evenimenti gjigant.

Për gjithsecilin është një ëndërr. Pas gjithë sakrificave nuk ke një biçikletë nga ekipi përkatës. Nuk më mbetet gjë tjetër të them veçse ‘bye world championship 2017’, see you 2018″, ishte mesazhi i kampionit të Shqipërisë, aktualisht pjesë e skuadrës belge të ASFRA Racing Team.
Shtuar më 10/09/2017, ora 13:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori