Fenomeni: Më thanë se nuk do të ecja më, dukej sikur më kishin hequr jetën
“Më thanë se nuk do të ecja më, dukej sikur më kishin hequr jetën. Ka qenë në atë moment që limitet e mia janë vënë në provë dhe unë kam luftuar për t’i kaluar. Dhe fitova”.

Këto janë disa nga rreshtat e letrës që Ronaldo Nazario de Lima, kampion bote me Brazilin në 2002-shin, u ka shkruar tifozëve të Real Valladolid, skuadra spanjolle në pronësi të tij.

Ylli brazilian u është drejtuar mbështetësve të ekipit të tij për t’u dhënë atyre zemër në këtë periudhë pandemie dhe për të larguar mendimet e këqija.

“Jemi të ndarë nga distanca fizike, - ka shkruar Fenomeni, - por jam i bindur se nuk kemi qenë kurrë kaq afër. Jemi brenda shtëpive tona për veten tonë, për ata që duam, për të gjitha ata që as i njohim dhe për ata që nuk mund të qëndrojnë më me ne”.

“Të shkruaj për të të falënderuar që je aty, për durimin, kujdesin dhe optimizmin tënd, pavarësisht të gjitha vështirësive, sfidave dhe humbjeve që po pësojmë në këto kohë të vështira. Futbolli më ka mësuar shumë gjëra”.

“Kur kam pësuar dëmtimin tim më të rëndë në gju, më kanë thënë se nuk do të kisha ecur më. Unë kam luftuar për të ndryshuar mendimin e tyre dhe për t’u treguar të gjithëve se mund të bëja atë që doja të bëja më shumë”.

Nëfund erdhi momenti, ndoshta më domethënësi i gjithë karrierës sime, në 2002-shin, në Japoni, në finalen e Kupës së Botës. Shënova 2 gola kundër Gjermanisë, për vendin tim, ai ka qenë konfirmimi se isha kthyer”.

“Jam i sigurt, - ka përfunduar Ronaldo, - se edhe ti, kur të shikosh mbrapa, do të mbash mend sa herë je ngritur në këmbë ga të gjithë betejat e tua dhe sa herë ke arritur t’i kalosh, për të bërë të mundur që të arrish aty ku je. Jemi bashkë dhe do të dalim më të fortë nga kjo”.
Shtuar më 26/04/2020, ora 22:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori