Ferdinand: Ja si Klopp po kopjon Ferguson jashtë fushës
Rio Ferdinand, i cili ka patur shumë trajnerë në karrierën e tij, ka vënë re se si Klopp po frymëzohet, veçanërisht jashtë fushe, nga Sir Alex Ferguson.

Ish-mbrojtësi i United ka thënë për BT Sport:

“Ndonjëherë, Ferguson i bënte një fjalim skuadrës pas ndeshjes në mënyrë shumë të qetë. Me pas dilte për intervistën dhe ne e shihnim nga ekrani duke bërtitur për ndonjë episod për të cilin asnjë lojtar i skuadrës nuk e kishte çuar nëpër mend”.

Dhe kjo sjellje, siç ka vënë në dukje Ferdinand, është kopjuar nga Klopp.

Ish-kapiteni i United ka folur për episodin e shfryrjes së trajnerit gjerman kundër BT Sport pas barazimit në kampionat me Brighton-in.

Trajneri i të Kuqve është zemëruar për kalendarin e ngjeshur, të organizuar më shumë mbi bazën e interesit të televizoneve sesa për të mirën e sportit.

Sipas Ferdinand, fjalët e Klopp kanë qenë strategjike, pikërisht siç bënte ish-trajneri i tij Ferguson.

“Ato deklarata shërbenin për të hequr vëmendjen nga dikush ose diçka. Kështu e kontrollonte situatën dhe besoj se Klopp po e bën shumë mirë tani. Ndoshta, ndonjëherë, flet për gjëra që nuk kanë lidhje me ndeshjen për të larguar vëmendjen nga paraqitja e ekipit ose kur diçka nuk shkon gjatë 90 minutave”.
Shtuar më 02/12/2020, ora 19:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori