Ferguson ndien mungesen e Ronaldos
Albeu.com
Dështimi i Manchester Unitedit që të fitojë titullin e kampionit në Premier League këtë edicion lidhet me mungesën e mesfushorit ofanziv Cristiano Ronaldo.
Portugezi para fillimit të edicionit që sapo përfundoi, u transferua te skuadra e Real Madridit për një dëmshpërblim prej 93 milionë eurosh. Reali bëri para me shitjen e tij, por nuk arriti të kompensojë assesi hapësirën që la ai, vlerëson trajneri i Menjus, sir Alex Ferguson.

"Gjithmonë e kam ditur se do të na mungojë shumë në formacion Cristiano Ronaldo dhe natyrisht se një mungesë e tillë vërehet në ligën më të fortë në botë", ka deklaruar Ferguson, shkruan të hënën "The Sun". "Gjithashtu në këtë dështimin tonë kanë kontribuar edhe fati që nuk ishte në anën tonë dhe lëndimet. Gjithashtu kemi humbur disa ndeshje që nuk është dashur t'i humbim".

Chelsea të dielën i dha fund dominimit të Manchester Unitedit që në tre stinorët paraprak fitoi tre tituj, natyrisht me Ronaldon në formacion.

Shitjen e Ronaldos strategu skocez u mundua ta kompensojë me blerjet e Antonio Valencias, Michael Owenit dhe Gabriel Obertanit. Manchester Unitedi edicionin e përfundoi në pozitën e dytë me 85 pikë, një më pak se kampioni i ri, Chelsea.

Ky ishte edicioni i 24-t i Fergusonit në krye të Manchesterit dhe e gjitha që mund të krenohet me këtë edicion është trofeu i League Cup. Dështoi në kampionat, në FA Cip dhe në Ligën e Kampionëve.

Ferguson përgëzoi trajnerin e Chelseat, italianin Carlo Ancelotti për punën e bërë të klubi londinez këtë edicion, por e paralajmëroi atë se titulli i kampionit edicionin e ardhshëm do të rikthehet në "Old Trafford".

"Jam optimist se edicionin tjetër, titulli i kampionit do të shkojë aty ku e ka vendin", ka shtuar Ferguson.
Shtuar më 11/05/2010, ora 14:04
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori