Ferguson "thumbon" Rooney: E meriton mërzitjen si ndëshkim
Aleks Ferguson konfirmon se marrëdhënia e tij me yllin e skuadrës, Wayne Rooney nuk po ecën aspak mirë. Si rezultat i një debati që kanë pasur me njëri-tjetrin, pasi trajneri e gjobiti sulmuesin me 200 mijë sterlina pak javë më parë, duket se palët akoma nuk kanë mundur të gjejnë paqe.

Rooney gaboi nga pika e bardhë e penalltisë në ndeshjen e ditës së shtunë kundër Boltonit, dhe tekniku i Manchester Unitedd nuk i ka kursyer kritikat: “Nuk arriti të shënojë gol me penallti, ndaj mendoj se është mërzitur për këtë. Megjithatë, e meriton mërzitjen si ndëshkim”.

Më pas, Sir Aleks ka deklaruar se futbollisti nuk po jep maksimumin e tij, prandaj duhet të përmirësohet: “Ai ka disa momente të mira, por janë shumë pak. Wayne është akoma dobët, nuk po jep atë që të gjithë presin prej tij. Duhet të përmirësohet patjetër, për të dhënë maksimumin në fushën e lojës”, – shtoi trajneri i “Djajve të Kuq”.

Kjo është herë e parë që Fergusoni e kritikon publikisht yllin e skuadrës. Madje, media spekulon edhe për një largim të mundshëm gjatë verës. Nuk është hera e parë që përflitet se sulmuesi mund të transferohet në një klub tjetër, vetëm se në të shkuarën ka qenë raporti i shkëlqyer me trajnerin që e ka mbajtur në “Old Trafford”.

Duke iu referuar burimeve të afërta të teknikut skocez, media britanike bën të ditur se ai i ka dhënë një afat prej dy javësh lojtarit, jo vetëm për të mos shfaqur më pakënaqësi në dhomat e zhveshjes, por edhe për të udhëhequr ekipin drejt sukseseve. Në të kundërt, e pret stoli. /albeu.com/
Shtuar më 16/01/2012, ora 10:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori