Ferguson ve bast: Kualifikohemi
Sir Aleks Ferguson
Mançester Junajtid rrezikon ndjeshëm eliminimin nga Liga e Evropës, pasi është mundur në ndeshjen e parë 3-2 dhe sfidën e kthimit do e luajë në transfertë ndaj Atletik Bilbaos. Gjithsesi, trajneri Aleks Ferguson nuk ka dyshime që skuadra e tij do arrijë të triumfojë në Spanjë, duke siguruar edhe kualifikimin për në çerekfinalet e kompeticionit. “Jemi në një pozitë të pazakontë, e cila nuk na ndodh shpesh. Kemi humbur ndeshjen e parë dhe nuk shihemi si favoritë për t’u kualifikuar. Bilbao është një skuadër me të vërtetë e fortë, sidomos në aspektin fizik. Për më tepër, ata janë dyfish të fortë në fushën e tyre, prej tifozërisë së zjarrtë.

Por, Mançester Junajtid nuk dorëzohet asnjëherë, madje unë jam i bindur që do fitojmë në Spanjë dhe do kualifikohemi. Duhet të kemi kujdes vetëm në minutat e para. Pres që kundërshtari të hidhet në sulm me shpresën për të shënuar një gol që do na e ndërlikonte situatën”, u shpreh Aleks Ferguson.

Sikur të mos mjaftonte disavantazhi i ndeshjes së parë, “djajtë e kuq” kanë probleme edhe me dëmtimet, pasi në këtë përballje do mungojnë lojtarë si Kris Smolling, Fil Xhons dhe Nani. Atletik Bilbao Marselo Bielsa nuk do gabime nga djemtë e tij, duke u shprehur se tashmë e kanë bërë gjysmën e rrugës për kualifikimin. “Ne kemi kaluar me sukses pjesën më të vështirë, madje kemi tejkaluar parashikimet, duke fituar në stadiumin “Old Trafford”.

Do ishte e pafalshme nëse nuk kualifikohemi, edhe pse kemi përballë një kundërshtar prestigjioz, me shumë eksperiencë në kompeticionet ndërkombëtare. Të mendosh që na mjafton edhe një humbje minimale, pa pësuar shumë gola ndaj Junajtid, është e pamundur të mendosh që nuk do shkojmë në çerekfinale. Duhet të bëjmë sa më pak gabime në fushë dhe të luajmë me zemër. Ne e dimë tashmë që jemi të aftë të fitojmë sërish, por nuk duhet të mendojmë se do jetë po aq e lehtë sa në sfidën e kaluar”, u shpreh trajneri Marselo Bielsa.

Atletik Bilbao nuk është kualifikuar në çerekfinalet e një kompeticioni evropian që nga viti i largët 1977, atëherë kur arritën të shkojnë deri në finalen e Kupës UEFA. /albeu.com/
Shtuar më 15/03/2012, ora 10:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori