Ferrari merr masa të mos i përsëritet dymijedhjeta
Fokusi kryesor i Ferrarit për stinorin e ri në Formula 1, është që të startojë furishëm dhe të evitojë mundësinë e një përsëritje të përfundimit të stinorit 2010. Të mërkurën, në mbledhjen vjetore të Ferrarit, drejtori i skuderisë, Stafeno Domenciali, ka thënë se shumë është folur për gabimin strategjik në garën e fundit të stinorit në Abu Dhabi, ku spanjolli Fernando Alonso e humbi titullin.
Mirëpo, ai thotë se gabimet më të mëdha u bënë në fillim të stinorit 2010, ku skuderia dështonte të fitonte pikë.
"Duhet të jemi racionalë. Ne kemi humbur titullin pasi nuk kemi marrë pikë vendimtare në gjysmën e parë të stinorit dhe kjo rezultoi që të futemi në fund të stinorit në atë situatë. Këtë edicion duhet ta nisim fuqishëm, nëse nuk bëjmë kështu, atëherë do ta kemi të vështirë", ka thënë Domenciali.

Ferrari do të prezantojë bolidin e ri për stinorin 2011 më 28 janar, derisa stinori nis më 13 mars me garën për Shpërblimin e Madh të Bahrejnit.

Edicionin e kaluar Fernando Alonso u fut në garën e fundit si lider para dyshes së Red Bullit, Sebastian Vettel e Mark Webber. Por, një gabim në strategji i skuderisë, i mundësoi Vettelit që të shpallet kampion.

Domenciali thotë se ndjenja pas asaj gare në Abu Dhabi ishte e njëjtë me atë që ndjeu Franca pasi që humbi në penallti në finalen e Botërorit 2006 nga Italia.
"Nëse do të ishit në zhveshtore të Francës do të dinit se çfarë atmosfere ka qenë. Kështu ishte edhe te ne. Ne nuk shfrytëzuam atë që na u servua dhe është mëkat", ka thënë Domenciali.

Që kur Domenciali e zëvendësoi Jean Todtin në krye të Ferrarit në fund të stinorit 2007, skuderia italiane nuk ka fituar asnjë titull të kampionit invididual dhe në dy stinorët e fundit nuk ka fituar as titull të konstruktorëve.
"Synimi ynë është që të fitojmë të dy titujt edicionin e ardhshëm", ka thënë Domenciali. (koha)
Shtuar më 13/01/2011, ora 13:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori