Fetije Kasa shpallet përsëri nënkampione e Evropës
Albeu.com
Peshëngritja vazhdon të jetë sporti me rezultatet më të larta sportive në Shqipëri. Kjo është parë qartë edhe në garën e parë që kuqezinjtë e shtangës kanë zhvilluar në kampionatin e 20-të evropian për të rritura, që po mbahet në Strasburg të Francës.Dje, në ditën e dytë të aktivitetit, në pedanë janë ngjitur dy peshëngritëset, Fetije Kasaj dhe Romela Begaj, të cilat kanë garuar në peshën 58 kg. Kasaj është konfirmuar si nënkampione e Evropës, menjëherë pas kampiones absolute, ruses Shainova, pavarësisht se në shkëputje nuk ka mundur të paraqesë vlerat e saj të vërteta. Krejt e kundërta ka ndodhur me Begajn, që në këtë stil arriti të renditet e dyta. Por, forca e rekordmenes shqiptare është dukur në stilin e shtytjes, ku ajo ka rrezikuar gjithçka për gjithçka: pas provës së parë jo të mirë, në tentativën e dytë Kasaj ka ngritur 123 kilogramë. Ajo ka tentuar që të fitojë medaljen e artë në këtë stil, por nuk ka mundur ta mbajë të fiksuar shtangën që peshonte 131 kg dhe është kënaqur me dy medalje argjendi, një në shtytje dhe një në dygarësh.

Përpara se të niseshin, dy peshëngritëset shqiptare, së bashku me trajnerin e Kombëtares së femrave, Faruk Kalleshi, kanë premtuar medalje. Dhe ashtu ka qenë. 3 medalje të argjendta me dy sportiste që konkurronin në peshën 58 kg. Gara e parë, ajo e shkëputjes, ka folur për Romela Begajn, që me 96 kg të ngritura në provën e dytë është shpallur nënkampione në shkëputje në këtë stil. Ndryshe nga sa pritej, Kasaj ka zhgënjyer në këtë stil, që cilësohej si pika e saj më e fortë, duke u renditur vetëm në vendin e pestë, me 91 kg, ndërkohë që në mënyrë të çuditshme ajo ka dështuar të ngrejë 94 kg si në provën e dytë ashtu edhe në provën e tretë. Medalja e artë në këtë stil është fituar nga kampionia në fuqi, Mariana Shainova, e cila duke parë paraqitjet e dobëta të rivaleve të saj nuk është sforcuar dhe ka ngritur vetëm 100 kg. Në garën e shtytjes ka ndryshuar gjithçka. Nga shqiptaret thirret në apel Romela Begaj, e cila është shpërqendruar dhe nuk ka arritur të ngrejë në provën e parë peshën 106 kg. Begaj e ka rikuperuar menjëherë gabimin në tentativën e dytë, por pavarësisht kësaj ka humbur shumë terren kundrejt kundërshtareve. Gara e saj është mbyllur me peshën 110 kg, të cilën e ka ngritur me shumë lehtësi në tentativën e tretë dhe ka përfunduar e shtata në shtytje. Duke parë renditjen jo të kënaqshme në stilin e shkëputjes, strategjia e Kasajt për garën e shtytjes ka ndryshuar, ku ka provuar të ngrejë menjëherë 123 kg. Pikërisht aty është rikthyer rivaliteti mes peshëngritësesh shqiptare dhe kampiones ruse, Shainova, që ashtu sikurse në Evropianin e vitit 2006 kanë qenë të vetmet që rivalizonin. Edhe pse ka dështuar në provën e parë, ajo ka arritur që ta kalojë me sukses peshën 123 kg në tentativën e dytë, duke kaluar menjëherë e dyta edhe në dygarësh. Në provën e fundit, Kasaj ka luajtur gjithçka për gjithçka, për të fituar medaljen e artë, ku ka provuar të ngrejë 131 kg, ndërkohë që, rivalja ruse, e cila mban edhe rekordin evropian në shtytje me 135 kg e ka mbyllur garën me 130 kg. Megjithatë, Kasaj nuk ka mundur që të ngrejë peshën e fundit të përzgjedhur, duke u kënaqur vetëm me një argjend në shtytje, që ka sjellë edhe argjendin në dygarësh me një total prej 214 kg të ngritura, 16 kg më pak sesa kampionia Shainova. Ndërsa Begaj, me 206 kg të ngritura në dygarësh, ka përfunduar në vendin e pestë. Deri më tani, Shqipëria renditet në vendin e shtatë, ku vetëm me dy peshëngritëset e talentuara të peshës 58 kg ka fituar 3 medalje argjendi. Tashmë mbetet radha e meshkujve, ku garimi do fillojë me Erkand Qerimajn në peshën 77 kg më 20 prill, për të vazhduar një ditë më pas me Endri Haxhihysenin në peshën 85 kg. Aventura kuqezi në evropian do të mbyllet nga Isa Bala, që në datën 22 prill do të konkurrojë në peshën +105 kg. Gazeta Shqip
Shtuar më 19/04/2007, ora 12:14
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori