FIFA dënon 9 persona për manipulime ndeshjesh
U deshën 8 vite, por në fund FIFA është kujtuar që të dënojë protagonistët e skandalit më të madh të manipulimit të ndeshjeve në historinë e futbollit botëror.

Në vitin 2011, Europoli arrestoi në Finlandë Vilson Raj Perumal, pjesëtar i një grupi që organizonte manipulime ndeshjesh në të gjithë botën në favor të basteve sportive. Ai tregoi se kishte manipuluar ndeshje të çdo niveli, duke vërtetuar pak nga pak se sa ishin shtrirë rrënjët e manipulimeve në futbollin botëror. Nga dëshmitë e tij u ndaluan më pas grupe të rëndëishme kriminale në Kroaci, Itali apo Hungari.

Kanë kaluar 8 vite që nga arrestimi i Perumal dhe rrëfimi i tij, e vetëm dje FIFA është kujtuar që të dënojë disa nga protagonistët e skandaleve të manipulimeve në ato vite. Në një njoftim në faqen zyrtare ajo ka bërë të ditur se ka përjashtuar përjetësisht nga çdo aktivitet sportiv 8 futbollistë dhe një menaxher të cilët kishin qenë pjesëmarrës aktiv në manipulimet e ndeshjeve, mes të cilave mendohet edhe të përfaqësueseve përkatëse.

Karlon Marrei (Trinidad Tobago), Kejeno Tomas (Trinidad Tobago), Hellings Muakasungula (Malaui), Ibrahim Kargbo (Sierra Leone), Seidath Tshomongo (Benin), Leonel Duarte (Kubë), Mohamed Kohistani (Afganistan) dhe Xhorxh Audi (Kenia) ishin lojtarët e dënuar, ndërsa menaxheri ishte Kudzanai Shaba nga Zimbabve.

FIFA e cilësoi këtë një rast të suksesshëm kur kishte dënuar pjesëmarrës në manipulimet e ndeshjeve, edhe pse në fakt këto dënime kanë bërë që të ngrihen pikëpyetje të mëdha, pasi një pjesë e këtyre futbollistëve kanë luajtur në karrierën e tyre në klube europiane si Uilliem II apo Fortuna Dyseldorf.
Shtuar më 27/04/2019, ora 09:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori