FIFA konfirmon dënimin ndaj Suarez
Pëlqej
Tolerancë zero ndaj Luis Suarez. FIFA nuk tregon aspak mëshirë ndaj uruguaianit për kafshimin e Giorgio Chiellinit, ndonëse vetë italiani ka deklaruar herë pas here se penalizimi i Suarez është paksa i ekzagjeruar. Në një kohë kur presioni në çdo formë ndaj qeverisë së futbollit nuk ka munguar, Komisioni i Disiplinës doli me një deklaratë duke konfirmuar 8 ndeshjet pezullim.

Në fakt sulmuesi u ndëshkua me 9 ndeshje, por një prej tyre e kaloi në stol, kur Botërori i Brazilit nuk kishte përfunduar ende. Veç të tjerash, Luis Suarez duhet të qëndrojë jashtë çdo aktiviteti futbollistik për 4 muaj rresht, vendim ky që po ashtu u la në fuqi nga Disiplina e FIFA-s.

Nëse gjërat do të mbeten të pandryshuara, Barcelona duhet të presë ende edhe disa muaj, për ta parë blerjen më të bujshme në debutim me ngjyrat blaugrana.

Gjithsesi ka ende shpresë, pasi më 8 Gusht pritet vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, e cila mund të ndikohet edhe nga deklaratat e të kafshuarit Chiellini, si dhe nga pendesa dhe falja publike e Suarez.

Avokati i tij nuk ka preferuar të flasë gjatë kësaj kohe, por sipas mediave spanjolle, Arbitrazhi mund ta lejojë bomberin uruguaian të stërvitet me skuadrën e re dhe gjithashtu mund të reduktojë bllokadën që i është vendosur për çdo aktivitet futbollistik. /albeu.com/
Shtuar më 05/08/2014, ora 15:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori