FIFA konfirmon shitjen e biletave për në Kupën e Botës
Stadiumet që do të presin ndeshjet e Kupës së Botës në Rusi për këtë vit duket se i kanë të plotësuar vendet e tyre, kjo të paktën në aspektin virtual.

Shefi i Departamentit të shitjes së biletave në FIFA, Falk Eller, konfirmoi se deri ditën e mërkurë janë shitur mbi 2.2 milionë bileta.

Eller deklaroi se shumica e këtyre biletave janë shitur nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të FIFA-s dhe se 53% e këtyre biletave janë blerë nga tifozë të huaj dhe interesin më të madh e kanë shfaqur tifozët nga SHBA, Brazili dhe Kolumbia.

Ndërkaq, ditën e mërkurë nisi edhe faza e fundit e shitjes së biletave, sigurisht nëpërmjet faqes së internetit të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit.

Sipas këtij organizmi e gjithë kjo bëhet për të siguruar mundësi të barabarta për tifozët nga e gjithë bota.

Në të njëjtën kohë, FIFA bëri të ditur se që nga dita e mërkurë, ka nisur funksionimin platforma për rishitjen e rregullt të biletave të Botërorit.

Kjo platformë do të jetë e dobishme për shembull për ata persona që kanë mundur të sigurojnë biletat e tyre prej 6 muajsh, por që për rrethana të ndryshme nuk do të mund të ndjekin ndeshjet e Botërorit.

Në raste të tilla është e nevojshme që të bëhet një ndryshim i emrit në biletat në mënyrë që një person tjetër të hyjë pa probleme në stadium.

Në të njëjtën kohë, biletat mund të kthehen nga personat që i kanë në këmbim të rimbursimit, për t’u rishitur më pas. /albeu.com/
Shtuar më 19/04/2018, ora 17:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori