FIFA & UEFA reagojnë për bojkotin e kampionatit
FIFA dhe UEFA kanë reaguar për bojkotin e kampionatit të Kategorisë Superiore.

Përmes një letre të dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku, dy institucionet më të rëndësishme të futbollit në botë inkurajojnë krijimin e një kuadri rregullator kombëtar gjithëpërfshirës, që mbështet zhvillimin e futbollit në të gjitha nivelet dhe më konkretisht kërkesat e klubeve të futbollit.

Gjithashtu, FIFA dhe UEFA nxisin qeverinë shqiptare dhe FSHF-në që të gjejnë zgjidhje të arsyeshme dhe të përshtatur për kërkesat e klubeve shqiptare të futbollit në mënyrë që sezoni të fillojë sa më parë.

Letra e plotë që FIFA dhe UEFA i kanë dërguar FSHF-së:

“I dashur Sekretar i Përgjithshëm,
Jemi vënë në dijeni të letrës suaj të datës 21 shtator 2020 në lidhje me situatën e Kategorisë Superiore në Shqipëri dhe vendimin për të bojkotuar nisjen e sezonit 2020/21.Ne e kuptojmë se ky vendim, i cili mbështetet nga FSHF, vjen si pasojë e refuzimit aktual të Qeverisë shqiptare për të miratuar një sërë reformash kryesore në kuadrin ligjor, që prek klubet e futbollit profesionist në vendin tuaj.

Siç e dini, FIFA dhe UEFA në përgjithësi inkurajojnë krijimin e një kuadri rregullator kombëtar gjithëpërfshirëse, që mbështet zhvillimin e futbollit në të gjitha nivelet. Rëndësia e ruajtjes së një marrëdhënieje të ngushtë dhe konstruktive të punës midis organeve të futbollit dhe autoriteteve qeveritare (në përputhje me të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre përkatëse) nuk ka nevojë të mbivlerësohet. Kjo vlen veçanërisht për sfidat e pashembullta që ka përjetuar futbolli si rezultat i ndikimeve të COVID-19. Këto sfida kërkuan – dhe vazhdojnë të kërkojnë – një nivel të jashtëzakonshëm bashkëpunimi.

FIFA dhe UEFA nxisin qeverinë shqiptare dhe FSHF-në të gjejnë zgjidhje të arsyeshme dhe të përshtatur për kërkesat e klubeve shqiptare të futbollit në mënyrë që sezoni të fillojë pa shtyrje të mëtejshme.
Shtuar më 05/10/2020, ora 19:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori