FIFA: Shqipëri-Mali i Zi (3-2) ishte "trukim"
Sipas të përditshmes prestigjioze sportive italiane, janë hedhur shuma të mëdha për miqësoren e 10 gushtit me fqinjët malazezë. Qenka shumë e vështirë që futbolli shqiptar, madje në nivelet e tij më të larta, t'u shmanget dyshimeve dhe akuzave për trukim.

Bomba e radhës vjen nga gazeta sportive italiane Gazzetta dello Sport, që me një shkrim hetues ngre shqetësimin për përmasat që ka marrë trukimi i ndeshjeve në futbollin europian.

Në fakt, bëhet fjalë për alarmin e dhënë nga qeveria botërore e futbollit, FIFA, për ndeshjet miqësore të muajit gusht, në prag të sezonit futbollistik 2011-2012.

Ndeshja e dyshuar për trukim, në bazë të informacioneve që kanë dhënë kompanitë e basteve, ishte miqësorja e 10 gushtit Shqipëri-Mali i Zi, që përfundoi me fitoren e kuqezinjve 3-2.

"Hetimet në Napoli, Cremona, Bari dhe Lecce, shkruan "Gazzetta dello Sport", në njëfarë mënyrë kanë ndikuar në minimizimin e basteve të pazakonta në Itali.

Hetimi i "Gazzetta dello Sport" vijon më tej: "Për të parandaluar këtë fenomen, FIFA kishte dhënë alarmin për ndeshjet miqësore të mesit të gushtit. Dhe pikërisht kjo lëvizje e dyshimte e parave u konkretizua në miqësoren Shqipëri-Mali i Zi, 3-2.

Megjithëse në fillim të ndeshjes dhe me kalimin e minutave rezultati ishte mbërthyer në shifrat 0-0, koeficienti për fitoren e Shqipërisë (1) pësoi rënie të pandërprerë, po kështu edhe koeficienti i shumës së golave (3+). Dhe në fund rezultati përfundimtar 3-2 u dha të drejtë atyre që luajtën me shuma të madhe në baste". /albeu.com/

Shtuar më 23/09/2011, ora 18:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori