Fituesi i Championsit mund të vendoset përmes një miniturneu
UEFA pritet të vendosë për zhvillimin e një turneu të vogël për ta përfunduar sezonin në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, gjatë konferencës që do të mbahet të martën, pra nesër, për të vendosur për fatin e futbollit evropian, pas shpërthimit të pandemisë koronavirus.

Organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA, do të mbajë konferencë me video me palët kryesore, përfshirë Federatën e Futbollit të Kosovës.

Gjatë konferencës pritet të merret vendimi për shtyrjen e Kampionatit Evropian 2020 për një vit, në mënyrë që t’i hapet rrugë përfundimit të sezoneve në ligat e ndryshme evropiane.

Sipas burimeve të BBC-së, të gjitha palët do të jenë të gatshme për të flijuar diçka në mënyrë që të gjejnë zgjidhje.

Si do të funksiononte një turne i vogël?

UEFA dëshiron që Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës të përfundojnë sepse kanë kontrata shumë të mëdha të transmetimit televiziv të cilat duhet t’i respektojnë.

Të dy këtu turne janë në fazën e 16 më të mirëve momentalisht, me gjashtë xhiro që kanë mbetur për t’u zhvilluar, përfshirë finalen. Janë edhe 14 ndeshje të fazës së 16 më të mirëve që duhet të zhvillohen në të dy këto turne.

Zhvillimi i çerekfinaleve dhe gjysmëfinaleve me nga një ndeshje do t’i hiqte dy xhiro nga orari i mbetur.

Zhvillimi i këtyre ndeshjeve në një periudhë prej pesë ditëve si miniturne në Stamboll dhe Gdansk, qytetet nikoqire të finaleve në këto dy gara, do ta bënte shumë më të lehtë punën, pasi klubeve nuk do t’iu duhej të udhëtonin.
Shtuar më 16/03/2020, ora 14:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori