Formacion luksi, ja me cilën skemë pritet të luajë Pirlo (FOTO LAJM)

“Kur të kthehet Dibala do të mendojmë se si do të luajmë, por mos mendoni se unë kam frikë të hedh në fushë 3, 4 apo 5 sulmues. Unë dua të shoh sa më shumë cilësi në fushë dhe kjo është ideja ime e futbollit. Prandaj nuk keni pse habiteni nga asgjë”.

Ishte kjo një ndër frazat e Andrea Pirlos, në konferencën për shtyp, pas fitores me Sampdorian, e cila konfirmon edhe tezën e diplomimit, me të cilën “Maestro” mori pak ditë më parë licencën “UEFA Pro”, për të stërvitur në elitën e futbollit. Nëse kujtojmë, ideja e futbollit të Pirlos ishte ajo e të luajturit në thellësi dhe të zgjerimit të lojës nga krahët, por duke kërkuar gjithmonë thellësinë.

Në skemën 3-5-2 (3-4-1-2 më saktë, me një fantazist pas dy sulmuesve) që ai ka si bazë fillimi, ajo duhet të shndërrohej në një 3-2-5 në aksionet sulmuese, ose në një 4-4-2 kur humbej topi, me vetëm një prej mesfushorëve të krahut që duhej të tërhiqej mbrapa, jo të dy së bashku. Dhe kur mendon se tani, me ardhjen e Moratës, apo edhe me rikthimin e Dibalës, lojtarët ofensivë duket se bëhen pak si shumë, si do ta zgjidhte Pirlo këtë çështje luksi?

Shumë thjeshtë, që të gjithë në fushë nëse do të duhet, ose e thënë ndryshe: Morata-Ronaldo përpara, Dibala pas krahëve të tyre dhe me Kulusevskin (apo Kuadradon) e Duglas Kostën (apo Aleks Sandron) nga korsitë e mesfushës që të shtyjnë sa më shumë përpara. Në letër ideja është gati, tani të shohim çfarë do rezervojë realiteti.
Shtuar më 22/09/2020, ora 16:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori