Formacionet e mundshme: Genoa-Milan, Giampaolo për të shpëtuar stolin (FOTO LAJM)

Kuqezinjtë e Milanit vazhdojnë të zhyten në një krizë gjithmonë e më të thellë në kampionatin italian dhe ekipi i Giampaolos befas regjistron plot tri humbje radhazi në Serinë A. Për fatin e mirë të klubit të famshëm lombard kalendari i Javës së 7-të ofron një përballje me Genoan, në orën 20:45, në stadiumin “Luigi Ferraris”, një ndeshje e vështirë, por që, gjithsesi, duhet të fitohet patjetër për të zbutur disi ambientin e acaruar kuqezi.

Optimizmi për emërimin në verë të një trajneri si Marco Giampaolo u zhduk shpejt dhe sfida me kuqeblutë e Genoas tani shndërrohet vetvetiu në një duel të drejtpërdrejtë ndërmjet dy trajnerëve që duan të shpëtojnë stolin në skuadrat respektive. Pavarësisht kalendarit të vështirë, 3 humbjet rresht me kundërshtarë si Interi, Toro dhe Fiore janë krejtësisht të papranueshme për një klub të këtyre përmasave, për më tepër kuqezinjtë, nën drejtimin e 52-vjeçarit, tani numërojnë plot 4 humbje në 6 ndeshjet e para të këtij edicioni të kampionatit italian.

Në krahun tjetër, pak a shumë, të njëjtën situata po përjeton edhe trajneri i kuqebluve, Aurelio Andreazzoli, sepse, pasi u kthye tri herë nga disavantazhi në “Olimpico” në takimin hapës me Romën, Genoa ia doli mbanë për të thyer Fiorentinën brenda në “Marassi”, megjithatë triumfi ndaj skuadrës vjollcë përbën edhe suksesin e vetëm të klubit gjenovez në këtë fillim kampionati të Serisë A.

Gjërat edhe priteshin që të shkonin kështu për klubin vendas, duke patur parasysh që edicionin e kaluar kuqeblutë e mbyllën sezonin në kuotë të barabartë pikësh me ekipin e Empolit që u rrëzua një kategori më poshtë, duke shpëtuar për mrekulli, vetëm falë bilancit më të mirë në përballjet direkte me formacionin toskan.

Genoa ka favorin e faktorit fushë, teksa e zhvillon ndeshjen në shtëpi, sidoqoftë skuadra e Andreazzolit vuan ndjeshëm për të shënuar dhe madje ka dështuar për të gjetur rrjetën në dy sfidat e fundit në kampionat, për më tepër kjo është një ndeshje që padyshim i sjell fat ekipit të Milanit, nëse merret parasysh fakti që kuqezinjtë kanë triumfuar në “Marassi” në dy përballjet e fundit ndërmjet tyre, duke u larguar nga qyteti i Gjenovës pa pësuar fare.

orën 18:00, Verona do të presë në stadiumin “Bentegodi” Sampdorian dhe ashtu si Genoa me Milanin edhe këto dy skuadra pozicionohen në shkallët e fundit të renditjes, prandaj në mënyrë të kuptueshme do të bëjnë çmos për të marrë 3 pikët, ndërsa më herët, në orën 15:00, me interes pritet gjithashtu edhe dueli Spal – Parma.
Shtuar më 05/10/2019, ora 11:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori