FOTOT e rralla: Historia e panjohur e legjendës Aleksandër Kondo (FOTO LAJM)

FOTOT e rralla: Historia e panjohur e legjendës Aleksandër Kondo
Pëlqej
Një projekt i ideuar nga zyra e prezencës së OSBE-së në Tiranë, në bashkëpunim me Radio-Televizionin Publik Shqiptar, do sjellin para teleshikuesve në ditët dhe muajt në vijim, një cikël të gjatë dokumentarësh televizivë, prodhimi i të cilëve ka filluar që në muajin shtator të këtij viti.

Projekti në fjalë i mbështetur nga OSBE-ja dhe i shpallur për aplikim që në muajin korrik, titullohet “Përballje me të kaluarën” dhe realizohet nën kujdesin direkt të drejtorit të Përgjithshëm të Radio-Televizionit Publik Shqiptar, Thoma Gëllçi.

Fitues të këtij aplikimi ku kanë konkuruar një numër jo i vogël gazetarësh, skenaristësh, regjizorësh, producentësh etj, janë dy gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Shoshori Stafa, të cilët prej vitesh, si në median e shkruar dhe atë vizive, në fokus të punës së tyre kanë pasur shkrime, emisione dhe dokumentarë të ndryshme, që i përkasin kryesisht periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe zbardhjes së krimeve të atij regjimi.

Sipas ideatorëve dhe organizatorëve të këtij projekti, ky cikël dokumentarësh ka si synim kryesor “Formësimin e Kujtesës Kolektive” dhe tenton të hedhë dritë e të ndriçoj disa nga ngjarjet e panjohura apo dhe ato më të bujshme të ndodhura gjatë periudhës afro 45-vjecare të regjimit komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri, duke sensibilizuar shoqërinë tonë mbi atë ç’ka kaluar për afro 45 vjet nën atë sistem diktatorial.

Temat e këtij cikli dokumentarësh marrin spunto dhe mbështeten, si në histori dhe ngjarje me personazhe tepër të njohur, si p.sh. bashkëpunëtorë të ngushtë të dikatorit komunist të Shqipërisë Enver Hoxha, të cilët ai i eleiminoi fizikisht, por dhe në njerez fare të thjeshtë e krejt të panjohur, mbi të cilët u ngritën akuza të qena dhe të paqena, me fakte dhe pa fakte, apo dhe inskenime të pastra sic ndodhte rëndom në vëndet diktatoriasle dhe shoqëritë totalitare.

Kjo gjë, pra projekti në fjalë, behet me qëllim që brezi i ri kryesisht, i cili nuk e ka jetuar atë kohë, por edhe një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare që nuk ka pasur mundësi, apo më saktë e ka pasur të pamundur të njihet me disa ngjarje apo fenomene që mbarte mbi vete pothuaj e gjithë periudha e sundimit komunist në Shqipëri, të njihet me ato ngjarje, pasi sipas një sondazhi të realizuar para disa muajsh nga Fondacioni Konrad Adenhauer dhe zyra e OSBE-së në Tiranë, brezi i ri kishte fare pak njohuri, apo aspak, mbi regjimin komunist të para viteve ’90-te.

Sipas Dashnor Kaloçit dhe Monika Shoshori Stafa, dy bashkëautorëve që së bashku me stafin e tyre po realizojnë këtë projket, nga ky cikël dokumentarësh, i pari që do startojë transmetimin nga Radio Televizioni Publik Shqiptar, titullohet, “Aleksandër Kondo, fati i trishtë i një ëndrre”, i cili u transmetua dje ne mbremje në ora 20 e 30, në kanalin RTSH 1.

Ky është një dokumentar i cili bën fjalë mbi jetën dhe karrierën e ish-sportistit të talentuar dhe legjendës së peshëngritjes shqiptare të viteve ’80-të, Aleksandër Kondo, i cili në vitin 1985, shfrytezoi kampionatin Evropian të Peshëngritjes që po zhvillohej në Poloni, dhe gjatë kthimit me ekipin, u arratis në ish-Jugosllavi dhe më pas në SHBA, ku dhe humbi jetën dy vjet më pas, në rrethana ende të paqarta.

Lidhur me këtë, Kaloçi shprehet:

“Ne jemi munduar dhe kemi rindërtuar në mënyrë kronologjike, pothuaj momentet kryesore të jetës, karrierës sportive dhe ngjarjes tragjike ku humbi jetën Aleksandër Kondo, si dhe persekucionit që pësoi e gjithë familja Kondo pas arratisjes së tij.

Të gjitha këto janë ndërtuar në bazë të dëshmive të disa prej shokëve dhe trainerëve të ekipit, si p.sh. Asim Belinova, Elez Gjoza, Agron Haxhiyseni, Gudar Beqiraj, Ferit Berberi, Ajet Toska etj, njerëzve të familjes së tij (babai Vangjeli dhe e motra, Valentina), si dhe persona të tjerë që e kanë njohur Aleksandrin dhe familjen e tyre, si në Tiranë, ashtu dhe gjatë periudhës së internimit në Martanesh.

Të gjithë këta me intervistat e tyre, sjellin fakte e dëshmi të reja dhe të panjohura për Kondon, deri në momentin e arratisjes së tij në Titograd.

Një nga dëshmitë mjaft interesante gjatë këtij dokumentari, është ajo e Nderim Kupit, ish-emigrant politik në SHBA që në vitet ’50-të kur u arratis nga Shqipëria, i cili ka qenë personi i parë që Aleksandër Kondo ka komunikuar ne telefon me të që nga Jugosllavia, gjatë ditëve që ai priste statusin e azilantit politik.

Z. Kupi, i cili për gati 25 vjet me rradhë ka shërbyer me punë në SHBA pranë Zyrës së Komisariatit të Lartë të Refugjatëve (për Evropën Juglindore) dëshmon edhe për tentativën e dështuar për rrëmbimin e Kondos në Jugosllavi, me anë të dy vëllezërve kosovarë që u dërguan enkas me mision sekret nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar.

Po kështu z. Kupi rrëfen edhe për miqësinë e tij me Kondon në SHBA, ku ai e ndihmoi që të stabilizohet me banim dhe punë, e deri tek ngjarja e aksidentit fatal ku ai humbi jetën në rrethana ende të pasqaruara, rreth të cilave flitet dhe do hidhet dritë në këtë dokumentar”.

Sipas dy bashkëautorëve të projektit në fjalë, Kaloçi dhe Stafa, pas këtij dokumentari, do të vijoj trasmetimi edhe me dokumentarët e tjerë si p. sh.:“Shpella e lirisë” (kushtuar ish-kolonelit dhe deputetit Haxhi Hajdar Mani, i cili me urdhër të Mehmet Shehut, u ekzekutua me artileri në marsin e vitit 1963 në Shpellën e Rrjollit ku ishte ngujuar), “Shpëtim Gina, misteret e një ikje të koduar“ (kushtuar dramaturgut, skenaristit, libretistit dhe shkrimtarit Shpëtim Gina, i cili u mbyt në lumin e Drojës afër Mamurrasit në vitin 1974, në rrethana të paqarta ende), “Trazirat e një kohe të vrazhdë” (kushtuar të ashtuquajturit “Grupi armiqësor në Ekonomi” me Avdyl Këllezin, Koço Theodhosin, Kiço Ngjelën, Vasil Katin, etj, ku u pushkatuan dy zv/kryeministra dhe vdiqën në tortura dy bashkëpunëtorë të tyre, “Dritëhijet e ngjarjes së Baldushkut” (kushtuar të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i lopëve të Baldushkut” në vitin 1977, ku u pushkatuan dy persona dhe një vdiq në tortura), “Tre ditët e lirisë”, (Kushtuar revoltës së Spaçit në vitin 1973, ku u pushkatuan katër të dënuar), “Elez Isufi dhe fati tragjik i familjes Ndreu”(kushtuar familjes Ndreu nga Sllova e Dibrës, e cila u masakrua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës).

Po kështu nga ky staf realizues, janë edhe disa dokumentarë të tjerë që janë prodhuar apo janë në proces, ku përveç filmimeve, dëshmive, fakteve, intervistave e të dhënave para kamerave, të gjithë, janë mbeshtetur edhe mbi dokumente arkivore. nga Dritan Xhemalaj
Shtuar më 14/12/2017, ora 16:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori