Francë-Gjermani, Matuidi: "Pancerat" favoritë
Blaise Matuidi është me fat që do të jetë në dispozicion të Didier Deschamps për takimin çerekfinal me Gjermaninë. Kundër Nigerisë, 27-vjeçari shpëtoi vetëm me karton të verdhë për ndërhyrjen e ashpër ndaj Ogenyi Onazi, të cilit pas ndeshjes i kërkoi falje në dhomat e zhveshjes.

Në takimin e tij të 28-të për kombëtaren e "Gjelave", kontributi i mesfushoritParis Saint Germain është mëse i domosdoshëm. Gjermanët konsiderohen favoritë në këtë përballje gjigantësh europianë dhe këtu është dakord edhe Matuidi.

"Për shkak të së shkuarës, Gjermania me të drejtë shikohet si favorite por gjithçka mund të ndodhë në një ndeshje. Kemi zhvilluar një miqësore vitin e kaluar në Paris, por besoj se jemi përmirësuar shumë që atëherë, kështu që gjërat do të jenë ndryshe", është shprehur Matuidi.

Që në fillimet e tij është konsideruar si një lojtar i talentuar me profilin e mesfushorit shkatërrues që ka dalë gjithnjë e më shumë në pah.

"Detyra ime është të shkatërroj vijën e parë të mbrojtjes. Duhet të jem shumë i shpejt përpara dhe ndërkohë të vendosem në pozicione të mira. Prandaj roli im shikohet si shumë deciziv në një ndeshje", vijoi mesfushori francez.

Ka çimentuar vendin në kombëtaren franceze, megjithatë Matuidi nuk i harron rrënjët e të shkuarës. Mesfushori tha se ndihet krenar për origjinën e tij nga Angola, por gjithmonë ka dashur të luajë për Francën. /albeu.com/
Shtuar më 03/07/2014, ora 14:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori