Frika nga trazirat e derbit kryeqytetas, FSHF takon klubet
Pëlqej
Pas takimit të djeshëm në Drejtorinë e Policisë të Qarkut Tiranë, në lidhje me derbin e kryeqytetit Tirana-Partizani, FSHF ka iniciuar sot një takim të dytë në zyrat e saj nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ilir Shulku, përfaqësuesve të klubeve respektive të kryeqytetit, Tiranës e Partizanit, shefit te Sektorit të Garave, Lysien Nurishmi, si dhe autoriteteve të sigurisë private.

Si një çështje shumë sensitive për garantimin e sigurisë publike për specifikën e një ndeshje të tillë derbi, sekretari i përgjithshëm Ilir Shulku u solli edhe një herë në vëmendje palëve angazhimin e tyre maksimal, për mbarëvajtjen e një takimi të tillë.

Ai ftoi përfaqësuesit e klubeve të gjejnë dakordin e tyre në lidhje me vendqëndrimet e tifozërive përkatëse, teksa nga ana e tij Drejtori i klubit Tirana, Arbi Laçi garantoi marrjen e masave totale për të mos patur asnjë problematikë serioze mes tifozërive gjatë derbit.

Gjithashtu sekretari Shulku ftoi klubet të vazhdojnë komunikimet e tyre sensibilizuese me tifozëritë respektive për të shmangur çdo incident të mundshëm që do t’ia cenonte bukurinë një derbi të tillë.

FSHF nga ana e saj do të vazhdojë të ndjekë me kujdesin maksimal çdo detaj organizues për një ecuri sa më normale të takimit. Ajo gjithashtu kërkon një vigjilencë të madhe edhe nga forcat e policisë së shtetit, të cilat edhe pse nuk do të jenë brenda perimetrit të stadiumit, sërish ftohen të jenë në gatishmëri të plotë për çdo eventualitet. /SS/


Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/sport/frika-nga-trazirat-fshf-takon-perfaqesuesit-e-dy-klubeve-para-derbit-579945/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright
Shtuar më 27/09/2018, ora 17:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori