Frika për "El Clasiccon", Policia katalonase i premton Real Madridit siguri
Forca policore e Katalonjës, Mossos d’Esquadra, ka premtuar se do të ofrojë siguri gjatë përballjes mes Barcelonës dhe Real Madridit në Camp Nou më 18 dhjetor, në kuadër të La Ligës.

Debati rreth masave të sigurisë që mund t’i garantohen Real Madridit para dhe gjatë El Clasicos po vazhdon edhe më tutje, tani që kanë mbetur vetëm pak ditë para kësaj përballjeje të madhe.

Edhe pse nuk janë dhënë detaje për masat e sigurisë që do të ndërmerren, forca policore e Katalonjës ka pretenduar se dy skuadrat në Camp Nou do ta kenë të sigurt ardhjen në Camp Nou dhe se situata në zonat rreth stadiumit do të jetë nën kontroll.

Mossos madje ka pretenduar se ndeshja mund të ishte zhvilluar edhe në datën origjinale, më 26 tetor, pa pasur shqetësime për masat e sigurisë.

Megjithatë, ata e kanë bërë të qartë se çfarëdo që të ndodhë brenda stadiumit është përgjegjësia e Barcelonës, mirëpo e ka siguruar klubin se do të bashkëpunojë me ta në lidhje me rekomandimet për siguri dhe se të dy palët do ta japin maksimumin për t’u siguruar që ndeshja të shkojë sa më mirë që të jetë e mundur.

Ndërsa, sa i përket pankartave dhe flamujve që mund të konsiderohen provokues, të gjitha ato që nuk janë në pajtim me rregullat e Ligjit të Sportit të Spanjës do të ndalohen.

"Spanjë, ulu dhe bisedo" është pankarta e propozuar nga grupi protestues katalonas "Cunami Demokratik" dhe kjo nuk i shkel rregullat e Spanjës, sipas policisë Mossos, dhe për këtë arsye do të lejohet brenda stadiumit. /
Shtuar më 12/12/2019, ora 11:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori