FSHF letër të hapur "TKZ-së": Mos na braktisni, rishikoni vendimin
Pas deklaratës së tifo-grupit "Tifozat Kuqezi" ka ardhur dhe reagimi i Federatës Shqiptarë të Futbollit. Institucioni më i rëndësishëm i futbollit në vendin tonë ju është drejtuar me një letër të hapur grupit më të njohur të tifozëve duke u kërkuar që të qëndrojnë në mbështetje të skuadrës dhe të mos e braktisin atë.

Letra e plotë e FSHF-së

Deklarata e fundit, e grupimit të tifozëve kuqezi për bojkotimin e ndeshjeve të kombëtares shqiptare, është përcjellë me vëmendje dhe seriozitet, nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit. Duke e konsideruar grupimin TKZ dhe në përgjithësi të gjithë tifozët shqiptarë, si një faktor shumë të rëndësishëm në mbështetjen që i ka bërë skuadrës kombëtare, ne e shikojmë me shumë shqetësim, vendimin e tyre. Kjo sepse mungesa e tifozerisë në stadium, përbën për ne dhe skuadrën mungesën e një aleati të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm. Të luash pa “lojtarin e 12”, do të thotë që të hysh në fushën e lojës me një lojtar mangut.

Federata , i bën thirrje grupimit TKZ, që të ndryshojë qëndrimin që ka në lidhje me këtë vendim. Me një gjykim më gjakfohtë dhe dashamirës, duhet të rikthehen në stadium, në vendin që i takon. Duke i lënë mënjanë mëritë dhe qejfmbetjet. Duke kapërcyer mbi to. Duke u bërë të gjithë, më të gjerë. Dhe duke menduar për qëllimin tonë të madh: Të jemi një suport i rëndësishëm për skuadrën tonë të dashur, e cila na ka bërë shpesh të lumtur dhe krenarë me paraqitjet e saj.

Kjo ndeshje kishte specifikat e saj nga pikëpamja organizative. Për hir të ndryshimit të qytetit dhe stadiumit ku do të zhvillohej ndeshja, u desh të kryenim, një punë kolosale, në kushte realisht të vështira. Konvertimi në një kohë rekord, i biletave të programuara për në stadiumin e Shkodrës, ishte një aksion që vështirë se një organizëm tjetër, mund ta realizonte. Në kushtet e krijuara, edhe ne ndeshëm shumë vështirësi, për të realizuar organizimin e një ndeshjeje model, sipas standarteve të UEFA-s.

Tifozët, gjithashtu sakrifikuan jashtëzakonisht. Ata ndryshuan axhendën, planet e tyre dhe programet që kishin përgatitur. Dhe sigurisht, kjo kishte kosto si fizike ashtu edhe financiare për ta. Për fat të keq, kjo sakrificë që tifozeria bëri, nuk u shpërblye. Ata, kanë dhënë gjithçka për skuadrën kombëtare gjatë kësaj periudhe dhe për këtë meritonin një trajtim më qytetar, brenda kufijve ligjorë. Ne besojmë se këto kanë qenë edhe udhëzimet e drejtuesve të policisë së shtetit por në terren gjërat janë deformuar dhe për këtë ndjejmë keqardhje.

Pavarësisht kësaj, Federata kërkon më shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim me grupet e tifozerive. Vetëm mirëkuptimi e bashkëpunimi, do të përmirësojë komoditetin tuaj në stadium. Ne do të bëjmë maksimumin, për të qenë një interlokutor i rëndësishëm, midis të gjitha palëve, për të patur një mbarëvajtje sa më të mirë të punëve, në të ardhmen.

E përsërisim mbështetja e tifozëve, është shumë e rëndësishme, për ekipin kombëtar dhe futbollin shqiptar. Për këtë arsye ju duam të gjithëve. Të jeni në stadium, për të mbështetur kombëtaren. Siç ka ndodhur, në mënyrë spektakolare deri më tani.


Shtuar më 16/11/2016, ora 17:21
Shqipri
e Mërkurë 16 Nëntor 2016, Ora 18:57
Jo hajt se su duhen tifozet juve veq paret e izrailit e meritoni askush mos me ju ardh por edh lojtaret i trajtoni si me qen skllever jan ba nja duka e de biasi e shit loja parelive gjoja kem eropjan po sishi shku asnjeher moskish qen ballist morina e ato lojtar trima hqnja diktatorin duka me ndimsin de biasi pik
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori