FSHF vjen me njoftim për transmetimin e ndeshjeve të Superligës
FSHF ka sqaruar publikun për sa i përket sekuencave audovizive të Kategorisë Superiore dhe Kupës së Shqipërisë. Insitucioni më i lartë i futbollit në vend sqaron se më parë të gjithë transmetuesit duhet të kenë marrëveshje kontraktuale me FSHF-në përpara se të përdorë këto sekuenca.

Ja njoftim i plotë:

Me fillimin e sezonit futbollistik 2018-2019, Federata Shqiptare e Futbollit i drejtohet të gjithë transmetuesve TV në vend, në rang kombëtar dhe lokal, në lidhje me përdorimin e sekuencave audio dhe video të kompeticioneve të saj, duke iu referuar aspektit ligjor për mundësimin e tyre.

FSHF, sipas legjislacionit në fuqi është zotëruesja e vetme e të gjitha të drejtave audiovizive të Kampionateve Kombëtare të Futbollit, si dhe të ndeshjeve të Ekipeve Kombëtare të futbollit, kjo, bazuar në nenet 15, 32 dhe 33 të Ligjit Nr.9376, datë 21.04.2005, “Për Sportin”.

Duke iu referuar pikërisht bazës ligjore në fuqi, FSHF bën me dije të gjitha mediat elektronike se asnjë subjekt transmetues nuk mund të përdorë këto të drejta në asnjë formë, apo kohëzgjatje, pa lidhur një marrëveshjeje kontraktuale me FSHF.

Për sezonin 2018 – 2019, për kampionatin Shqiptar të futbollit “Kategoria Superiore”®, dhe për kompeticionin “Kupa e Shqipërisë”®: FSHF është i vetmi subjekt që ka të drejtë të shesë të drejtat e sekuencave (highlights) audiovizive të ndeshjeve të këtyre aktiviteteve. Të gjitha mediat e interesuara për blerjen e sekuencave, për përdorim në edicionet informative apo emisionet sportive, janë të mirëpritura të kontaktojnë Departamentin e Marketingut pranë FSHF-së për të marrë informacionin e nevojshëm dhe për të lidhur kontratat respektive.

Nga ana e saj, FSHF në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive, nuk do të lejojë në asnjë moment transmetimin e pjesshëm të asnjë sekuence audiovizive nga subjekte të paliçensuara. FSHF mbetet e hapur për të bashkëpunuar në këtë proces të rëndësishëm.
Shtuar më 15/08/2018, ora 21:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori