Futbollisti brazilian tregon tmerrin që përjetoi në momentet e tërmetit në Shqipëri
Futbollisti brazilian i Partizanit të Tiranës, William Cordeiro, e ka rrëfyer tmerrin që e kishte përjetuar në orët e hershme të mëngjesit të së martës, kur Shqipëria u godit nga një seri tëmestesh.

31 persona kanë mbetur të vdekur dhe mbi 650 janë lënduar në një seri tërmetesh që e goditën Shqipërinë, që nga orët e hershme të mëngjesit të së martës.

Fatmirësisht, futbollisti brazilian Cordeiro nuk pësoi asnjë dëmtim, mirëpo ai ka rrëfyer se gjendja e tij nuk është më e mira.

"Së pari dhe më e rëndësishmja, unë dua ta siguroj familjen, miqtë dhe ndjekësit e mi për tërmetin që ndodhi në agim në Shqipëri. Pavarësisht frikës më të madhe që kam pasur ndonjëherë në jetën time, unë jam mirë", ka thënë Cordeiro.

"Ishte rreth orës 4 të mëngjesit këtu dhe unë isha duke fjetur. Gjithçka filloi të dridhej në një mënyrë të tmerrshme, si një varkë argëtuese Vikinge në park. Fillova të bërtisja dhe të largohesha. Vesha një triko sepse ishte shumë e ftohtë".

"Gjëja e mirë është që jetoj në katin e dytë dhe dola shumë shpejt në rrugë – shumë shpejt, të gjithë banorët e ndërtesës sime dhe të ndërtesave fqinje ishin në rrugë. Siç thashë, ishte frika më e madhe e jetës sime".

"Shumë e trishtueshme është kur shoh një popull që kalon përmes kësaj, veçanërisht nga vendi ku unë jetoj dhe që më priti me krahë të hapur për gati dy vjet. Shpresoj të jetë vetëm ky moment dhe të ngrihet Shqipëria të kthehet në jetën e saj paqësore sa më shpejt".

"Faleminderit për të gjitha mesazhet që kam marrë deri më tani. Është shumë e rëndësishme për të gjithë ne që të marrim këtë dashuri dhe energji pozitive nga ju. Le ta kapërcejmë këtë moment së bashku!".
Shtuar më 27/11/2019, ora 11:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori