Gareth Bale kërkon që t’i rritet rroga
Rinovimi i kontratës së sulmuesit anësor Gareth Bale mund të jetë lajm i mirë për Real Madridin dhe tifozët madrilenë, por jo për disa apo shumë shokë të tij të skuadrës.

E përditshmja spanjolle “Sport” ka bërë të ditur kërkesën e befasishme të uellsianit për sa i përket pagës së tij të re. Ai do plot 17 milionë euro në vit, shifër shumë e lartë! Ky është një nga vitet më të suksesshme të 27-vjeçarit, si me Real Madridin, ashtu edhe me kombëtaren e Uellsit, sepse me klubin fitoi Ligën e Kampionëve dhe në Kampionatin Evropian të Francës “dirigjoi” skuadrën e tij përfaqësuese deri në gjysmëfinale. Bale gjithashtu u përfshi në listën e tre kandidatëve për çmimin “Lojtari më i mirë i vitit në Evropë”.

Kontrata aktuale e ish-yllit të Tottenham-it në Madrid përfundon në vitin 2019, por ai shpreson ta vazhdojë me një përmirësim të dukshëm të kushteve të saj. Sipas asaj që shkruan “Sport”, shumë nga lojtarët e Rael Madridit janë mërzitur dhe befasuar nga kërkesat e shokut të tyre të skuadrës, sepse mendojnë se performancat e këtij të fundit nuk justifikojnë një rritje të tillë page.

Gazeta thekson se atmosfera në dhomat e zhveshjes ka marrë një lëkundje, porsa është marrë vesh se Bale e sheh veten mbi çdo futbollist tjetër kampion Evrope, me përjashtim të yllit Cristiano Ronaldo, i cili paguhet rreth 20 milionë euro në vit./Albeu.com/
Shtuar më 03/09/2016, ora 20:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori