Gati të rikthehet Dinamo e madhe, donadorët i vijnë në ndihmë
Ditëlindja e 69-të po e gjen sërish Dinamon në Kategorinë e Parë dhe pa seli e stadium. Kur na ndajnë edhe 6 ditë (26 shkurti) nga dita e themelimit të një prej klubeve më të suksesshme në vend (18 tituj, 13 kupa e 2 Superkupa), drejtuesit premtojnë rikthimin e madh. Në një postim të bërë në faqen zyrtare, ata kanë dhënë një tjetër datë në fakt, ku përkujtonin ditën e themelimit: “69 Vjet Krenari! Që prej 18 Shkurtit 1950.



Si sot 69 vite më parë, do të krijohej F.K. Dinamo me përbërjen e lojtarëve: Xh. Shaqiri, S. Peqini, Z. Gjinali, P. Mirashi, H. Bakalli, Q.Teliti, B. Boriçi, K. Sherko, B. Kavaja, B. Vathi, Q. Vogli, S. Jareci etj. dhe me trainer Ludovik Jakovën. Ky ekip me kalimin e viteve do të kthehej në klubin sportiv më të madh në vend. Një histori suksesi dhe jo pak vuajtjesh vitet e fundit, por nëndetësja blu ka rindezur motorët për të dalë në sipërfaqe! Në këtë përvjetor kemi një premtim për të gjithë dinamovitët, viti i ardhshëm, i cili përkon me 70-vjetorin e klubit do të festohet me ringritje në Superligë, aty ku i takon këtij klubi legjendar që i ka dhënë tonin kampionatit shqiptar të futbollit! Urime 69-vjetorin Legjenda e Futbollit”.
E megjithatë, pasi gazeta hulumtoi, falë ndihmës së gazetarit të shquar, Besnik Dizdari, mësoi në fakt se më 26 shkurt 1950 Dinamo ka dalë për të parën herë në fushën e lojës dhe fitoi ndeshjen e parë të kampionatit me Elbasanin, 2-0. Në letra, paraqitet sikur është themeluar më 2 mars 1950, por është thjesht është vendim në letër, pasi datë themelimi është 26 shkurti 1950.

ADMINISTRATORI – Në një bisedë me “Panorama Sport” është administratori Ismet Saliaj që zbulon se vitet e fundit kanë qenë të mbushura me sakrificë. “Si njeri dhe sportdashës ndër vite i këtij ekipi, dëshiroj që ta shikoj prapë Dinamon e madhe. Si pjesëtar i klubit kam shpresa që ta rikthejmë Dinamon atje ku i takon. Këto kanë qenë vite shumë të vështira, ku ne të gjithë kemi bërë sakrifica për mbarëvajtjen e ekipit. Ka disa fenomene që janë më të mëdha se ne, por dhe pse me vështirësi ia kemi dalë ta mbajmë Dinamon, paçka se në Kategori të Parë. Këtu kanë meritë të gjithë, stafi teknik e futbollistët, pa harruar çdo mbështetës tonin. Akoma nuk kemi një projekt konkret për një kohë të shkurtër për Dinamon për t’u rikthyer në nivelet e mëparshme, por kemi sinjale pozitive nga donatorë, miq, mbështetës të klubit, me qëllimin e mirë, që të gjithë së bashku të kontribuojmë për ta rikthyer në Superiore. Ndonëse tashmë jemi pa seli, pa stadium e pa fushë tonën, siç i kemi pasur më parë, unë jam i bindur se do vijë dita që ta rikthejmë Dinamon e madhe”, përfundoi Saliaj.

Shtuar më 20/02/2019, ora 11:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori